Muzikë

I famshëm brenda natës – Një vit që kur Don Xhoni, iu bashkua estradës


Yje të shumta vendore e botërore kanë rrëfyer për rrugëtimin e tyre të vështirë drejt ëndrrave mbi muzikën, vëmendjen e popullaritetin.

Por, kështu nuk ndodhi me rep artistin nga Skenderaj, 21 vjeçarin, Don Xhon.

Përkundër asaj se gjatë vitit të kaluar, për shkak të pandemisë dhe masave anti-COVID19, shumë nga këngëtarët nuk sollën projekte dhe ndërprenë aktivitetet e tyre muzikore, kishte edhe prej atyre që pandemia vuri në pah talentin e tyre, pranë syve të publikut.

Janë bërë një vit që kur Don Xhon iu bashkua industrisë së muzikës shqiptare, duke sjellë risi brenda zhanrit rap dhe duke lansuar këngë që brenda orësh u shndërruan në hite.

Xhonaton Isufi, për publikun i njohur me nofkën artistike, Don Xhon, i famshëm u bë brenda natës. Madje nga mediat rozë, ai u quajt edhe “Fenomen”.

Një paraqitje në emisionin “Xhoni Black” të gazetarit Meriton Mjekiqi, mjaftoi që Don Xhon përmes repturave të tij të interpretuara brenda asaj interviste, të merrte vëmendjen e një publiku të gjerë.

Para se ai të futej në studion e xhirimeve, ishte një person me pak ndjekës në llogarinë e tij të instagram dhe i pa njohur për publikun. Por gjërat ndryshuan shpejt.

Për më pak se 24 orë, Don Xhoni, arriti të grumbullonte mbi 100 mijë ndjekës në Instagram, dhe intervista e tij e parë arriti shifrën prej një milionë klikimesh.

Që nga ajo kohë, rep artisti Don Xhon, filloi me publikimin e këngëve të tij, të cilat shënuan suksese të një pas njëshme.

“Tjera Llafe”, “Baby”, “Cash cash”, “Kokaina” dhe së fundi, “Mafia”, janë disa nga video projektet muzikore të cilat arritën të kapin shifra milionëshe në kanalin zyrtar në YouTube, të artistit nga Skenderaj, Don Xhon.

Gjatë një viti karrierë, ai solli vetëm një bashkëpunim, si mysafir në projektin e këngëtarës nga Shqiperia, Enca Haxhia, më këngën e tyre “Break Down”, e cila numëron mbi 16 milionë klikime në YouTube.

Një pjesë e një “Freestyle” të publikuar përsëri në emisionin “Xhoni Black”, arriti të bëhej virale në rrjetin social Tik-Tok, duke u ri-postuar edhe nga ylli i “Keeping up With Kardashians”, Kim Kardashian.

Projekti i tij i fundit është “Mafia” i cili është mirëpritur nga fansat e Xhon-it, teksa është përkrahur në mënyrë masive edhe nga kolegët e tij, pjesë të estradës shqiptare të muzikës.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore