Lajme

I dyshuari për të shtënat në metronë e Brooklyn-it, Frank James është arrestuar


I dyshuari për të shtënat në metronë e Brooklyn-it është arrestuar në një “McDonald’s” në “East Village”.

Frank James, 62 vjeç, do të përballet me akuza federale për terrorizëm lidhur me sulmin e së martës ndaj udhëtarëve të metrosë në “Sunset Park”, i cili la dhjetë persona me plagë me armë zjarri dhe 18 të tjerë të plagosur.

Një dëshmitar njoftoi policinë se e kishin parë James në “McDonald’s” dhe njësitë e policisë e gjetën atë disa minuta më vonë.

Në një konferencë për shtyp të mërkurën, kryetari i bashkisë së qytetit të New York-ut, Eric Adams tha se, “ne e kapëm atë”.

Adams falënderoi “njujorkezët të cilët ndihmuan në gjetjen e të dyshuarit”.

Në median sociale Twitter u publikuan videot e arrestimit të James me duar të lidhura me pranga pas shpine, duke u futur me qetësi në makinën e policisë.

Prokurori i SHBA-ve për Distriktin Lindor të New York-ut, Breon Peace, tha se James do të përballet me akuza federale për përdorimin e terrorit në ambiente publike dhe do të përballet me burgim të përjetshëm nëse dënohet.

E shkuara e James

James kishte nëntë arrestime paraprake në New York që nga viti 1992 deri në 1998-ën, duke përfshirë posedimin e mjeteve të vjedhjes, një akt seksual kriminal dhe vjedhje shërbimi.

Ai gjithashtu ka tre arrestime në New Jersey nga viti 1991 deri në 2007-ën për shkelje të ligjit, vjedhje dhe sjellje të çrregullt.

Para sulmit në metro, James hyri në stacionin e metrosë Kingsway, sipas policisë, tre blloqe larg nga ku u gjet një furgon me qira U-Haul.

Ata besojnë se pasi qëlloi me armë në metro, ai hipi në një tren që kishte hyrë në stacion, shkoi një ndalesë lart dhe doli nga një stacion në 7th Avenue në orën 9:15 të mëngjesit.

“Glock 9 mm” i përdorur në sulm u ble në vitin 2011-të në Ohio, tha një oficer i lartë i NYPD-së.

Forcat e rendit anuluan raportet se James ishte intervistuar nga agjentë antiterroristë të FBI-së në New York në vitin 2019.

James kishte qenë objekt i një gjueti masive që nga sulmi në metronë e Brooklyn-it pak para orës 8:30 të mëngjesit të së martës.

Qindra detektivë kishin kërkuar video për ndonjë gjurmë të të dyshuarit të zhdukur.

Një shpërblim prej 50 mijë dollarësh u ofrua për informacionin që çonte në një arrestim pasi autoritetet zbuluan se personi i armatosur kishte hapur zjarr të paktën 33 herë me një pistoletë 9 milimetrash Glock.

Një armë, karikatorë, bombola gazi dhe fishekzjarre u gjetën në vendin e ngjarjes. Hetuesit besojnë se i dyshuari mund të jetë detyruar të ndalojë të shtënat kur arma u bllokua.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore