Shqipëria

I arrirë apo i dështuar PR-i politik?


Shkrep në kokë si diçka gati-gati e parealizueshme.

Ama ata profesionistë që e kanë shqisën e mjeshtërisë, nuk e lënë t’ju ikë. Përkundrazi i japin trajtë.

Ngjashëm si në kontabilitet, përllogarisin çdo detaj. E si në shkencat humane, vishen nga empatia dhe marrin parasysh më të paparashikueshmet.

Por edhe rrëshqasin. Diku çalojnë, tjetërkund i rimarrin forcat dhe triumfojnë.

Fundja, kjo do të thotë të jesh oficer i marrëdhënieve me publikun, ndryshe siç njihet rëndom, specialist PR-i.

Duhet t’i mbijetosh betejave dhe nganjëherë… të shpallësh të tilla.

Sidomos në sferën politike.

I arrirë dhe i përmirësuar

Për ekspertin e fushës, Julian Zyla, PR-i politik në vend është i arrirë nga disa aktorë kryesorë, përfshirë edhe shoqërinë civile.

Dhe se e gjitha ka ardhur prej nevojës politike përgjatë kohës.

“Me disa elementë që mund të përmirësohen, politika komunikon në mënyrë efektive. Kjo duket të jetë rezultat i konsulencave gjatë fushatave, por edhe i përvojës që aftëson mjaft intuitën”, tregon ai për Albanian Post.

Bashkë me zhvillimin, këta aktorë kanë kryer edhe zgjedhjet e tyre të komunikimit politik. Ku mes tyre prevalon sulmi, e rrjedhimisht mbrojtja.

“Akuzat, përgjigjet dhe kundërakuzat duket të dominojnë sulmin dhe mbrojtjen e politikës në Shqipëri”, dallon Zyla.

Megjithatë, sipas tij, ka një pjesë të komunikimit politik që mbështetet te marrëdhënia e drejtpërdrejtë me qytetarët, kryesisht në rrjetet sociale.

Ndryshe nga notat negative të praktikave më të përdorura, kjo e fundit “shpesh ndërtohet mbi elementë pozitiviteti”.

Synimi i çdo akti komunikimi, tregon eksperti, është përparimi i kalendarit politik të secilit subjekt.

Metoda e PR-it nis zakonisht nga kërkimi, përgatitja e materialeve apo mesazheve dhe realizimi apo publikimi.

“Por në përditshmërinë e politikës, edhe në Shqipëri, dinamika e ngjarjeve dhe nevojat specifike për komunikim i bëjnë më pak të ndara këto faza, të cilat ndërthuren, kalohen apo theksohen në varësi të personave apo situatave”, veçon ai.

Prandaj dhe, çka vihet re në të shumtën e rasteve është shumëllojshmëria e rrugëve të ndjekura të PR-it.

Sipas Zylës, veprimet në PR-in politik në Shqipëri shtrihen në një shumëllojshmëri, nga gabimet e politikanëve te strategjitë e mirëmenduara të agjencive të kkomunikimit.

Por çfarë i ndan dhe çfarë i bashkon dy liderët kundërshtarë në këtë drejtim?

“Nga një vëzhgim i thjeshtë, ajo që i ndan të dy është personaliteti i ndryshëm”, thotë eksperti.

Në vëzhgimin e tij, “Rama mbështetet te karizma politike, ndërsa Basha kërkon të komunikojë mbi përmbajtje të mirëpërcaktuar paraprakisht”.

Jo fort efektiv

Në kontrast, ekspertja Haris Vogli, gjykon se gjuha e komunikimit politik, si një nga asetet kryesore të një politikani, në Shqipëri lë për të dëshiruar.

Kështu që, PR-i nuk është fort efektiv.

“Shumë figura të rëndësishme politike janë analizuar për prapavija në mendime ose filozofinë e tyre, duke vendosur në fokus gjuhën e trupit”, tregon ajo për Albanian Post.

Kjo pasi prej gjuhës së trupit, shpesh kuptohen mesazhe të dhëna në mënyrë instiktive ose ndryshe të tradhëtuara nga subkoshienca.

“Janë të shumtë politikanët që kanë dhënë mesazhe përmes gjuhës së trupit kundër vullnetit ose jashtë dëshirës për t’i shfaqur ato”, dallon Vogli.

Çka shihet kritike në të gjithë panoramën, sipas saj, është mungesa e origjinalitetit.

“Pavarësisht zotësisë së këshilltarëve të komunikimit të shumë prej figurave politike në vend, duket qartë se strategjitë e komunikimit janë të huazuara nga Perëndimi dhe nuk gjejnë zbatim korrekt në realitetin politik shqiptar”, veçon ekspertja.

Për Voglin, strategjitë e ndjekura shtrembërohen në praktikë, paçka se në teori mund të jenë premtuese.

Një ilustrim i sjellë është ai i periudhave zgjedhore.

“Nëse votuesit do të ishin të vëmendshëm, do të kuptonin se PR-i gjatë fushatave zgjedhore vjen nga një strategji që formëson një fabul për partitë dhe politikanët që garojnë. Ky komunikim është i strukturuar për një periudhë kohe dhe ndryshon dukshëm nga periudhat e dala nga fushata”, sqaron ekspertja.

Marrë shkas nga kjo, strategjitë e PR-it politik në vend janë pjesë e një pakete të gjerë elektorale që në fokus ka tërheqjen e elektoratit për të votuar një parti të caktuar.

Lidhur me komunikimin politik shqiptar, Vogli sheh se ka një përballje të asaj që e ka lënë vendin shumë pas kohe dhe asaj që duhet zgjedhur për të dalë nga problematika dhe ngërçe të shumta.

“Kryeministri dhe shumë të tjerë që e kopjojnë, bazohet në një retorikë me ofendime, pasthirrma dhe mungesë të theksuar serioziteti përballë opozitës që ka zgjedhur një tjetër mënyrë komunikimi”, sqaron ajo.

Kurse për Bashën, gjykon se është “më serioz, më i përmbajtur, me kulturë komunikative më të qetë e qytetare”.

Koha dhe COVID-i

Si një ndjekës i rregullt i politikës shqiptare të këtyre viteve të fundit, Zyla tregon se përgjatë kohës është përmirësuar strukturumi gjithnjë e më i madh i komunikimit politik.

Ndërsa Vogli thekson se kjo sferë e studimit politik sa vjen e zotërohet me mjeshtëri.

“Kjo jo gjithmonë për mirë, nga politikanët që e kanë sfidë më vete realizimin e objektivave të strategjive të komunikimit sepse shumë nga çka bëjnë është reklamimi i punëve që e kanë për detyrë t’i bëjnë”, ravijëzon ajo.

Një moment kyç ka qenë edhe COVID-i.

Tekaa për Zylën s’ka sjellë kurrgjë të re përpos takimeve online dhe maskave në pamje, për Voglin ka arritur të rrisë dozat e propagandës.

Kjo pasi sa më e madhe të jetë problematika, aq më shumë duhet menduar për të mbuluar çka nuk është përballuar me sukses.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore