Lajme

Hyundai, probleme me 82 mijë makina elektrike


Hyundai Motor Co, kompania koreano jugore e automjeteve, do të ndërmarrë zëvendësimin e sistemeve të baterive të 82 mijë automjeteve elektrike në të gjithë botën për shkak të rreziqeve nga zjarri.

Agjensia e lajmeve, Reuters, shkruan se tërheqja e kushtueshme e automjeteve e cila kap vlerën 900 milionë dollarë, nxjerr në pah një çështje “të mprehtë” se si ndajnë faturën në rast problemesh prodhuesit e makinave dhe ata të baterive.

“Është shumë domethënëse si për Hyundai-n ashtu edhe për LG-në pasi jemi në fazat e hershme të epokës së automjeteve elektrike. Mënyra se si e trajton Hyundai këtë, do të krijojë një precedent jo vetëm në Korenë e Jugut, por edhe në vende të tjera”, ka thënë një studjues i Institutit për Ekonomi Industriale dhe Tregti në Kore.

Automjetet kryesore të cilat do të tërhiqen janë të modelit Kona EV e cila është edhe makina më e shitur e Hyundai-t. Ajo ka shfaqur probleme që prej vitit të kaluar me shkaktimin e zjarrit

LG Energy Solution, kompania që merret me krijimin e baterive, është shprehur se Hyundai ka keqpërdorur sugjerimet e tij lidhur me logjikën e karikimit të shpejtë në sistemin e menaxhimit të baterisë. LG ka shtuar se qeliza e baterisë nuk duhet të shihet si shkaku kryesor i drejtpërdrejtë i rrezikut të zjarrit.

Ndërkohë që Ministria e Transportit në Korenë e Jugut ka deklaruar se janë gjetur disa defekte në disa qeliza të baterive të prodhuara në fabrikën e LG-së në Kinë.

Sipas Reuters, Hyndai nuk ka dhënë komente lidhur me këtë. Kompania pësoi një ulje me 3.9% të aksioneve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore