Auto

Hyundai, pezullon prodhimin në fabrikën e Asan-it


Kompania koreano jugore e automjeteve, Hyundai Motor Co, ka njoftuar se ka vendosur të pezullojë prodhimin për dy ditë në fabrikën e saj në Asan për shkak të mungesës së çipave.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se pezullimi ka ndodhur për shkak të kushteve të furnizimit të pjesëve gjysmëpërçuese që shërbejnë për njësitë e kontrollit të fuqisë.

“Ne po monitorojmë nga afër situatën për të marrë masa të shpejta dhe të nevojshme për të optimizuar prodhimin në përputhje me kushtet e furnizimit”, ka thënë kompania në një deklaratë për çështjen.

Fabrika e pezulluar në Asan rezulton të nxjerrë 300 mijë automjete çdo vit, përfshirë edhe sadanët Sonata dhe Grandeur.

Ky nuk është pezullimi i vetëm i ndërmarrë nga Hyundai. Javën e kaluar kompania ka njoftuar ndërprerjen e prodhimit në fabrikën e saj kryesore në Korenë e Jugut, në Ulsan. Ndërprerja do të jetë deri më datë 14 të muajit prill për shkak të problemeve me furnizimin e fabrikës me çipa.

Hyundai renditet te prodhuesit më të fundit të automjeteve që ndërmarrin ndalimin e prodhimit në fabrika për shkak të mungesës globale të gjysmëpërçuesve.

Rezistimi i kompanisë deri më tani lidhet me rezervat e gjysmëpërçuesve që Hyundai ka mundur të sigurojë ndryshe nga kompanitë e tjera të automjeteve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore