Lajme

Hyseni: “Të krijohet fronti opozitar për të ndaluar politikat rrënuese të Kurtit e Osmanit”


Albin Kurti, Skender Hyseni dhe Vjosa Osmani

Për ish-ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Skender Hyseni, partitë opozitare në vend duhet të krijojnë një front të përbashkët për të kundërshtuar, siç thotë ai, “politikat rrënuese” të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit.

Kështu sipas ish-kryediplomatit parandalohet rrëshqitja e Kosovës në izolim të plotë.

“Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, me politikën e tyre të rrezikshme dhe izolacioniste po shkatërrojnë çdo gjë që me aq mund është ndërtuar gjatë tri dekadave të fundit në Kosovë”, ka shkruar ai në rrjetin e tij social në Facebook.

Pozicionimi konformist i kryetarit të Partisë Demokratike dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku në pritje të gabimeve rrënuese të Kurtit, sipas Hysenit, është i papranueshëm.

“Ato gabime mund të jenë të pariparueshme!”, ka shtuar ai më tej.

Qeveria e Kosovës, sipas Hysenit patjetër duhet të pranojë rekomandimet Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por jo vetëm që të mos mbetet peng i lojërave me targa.

“Opozita duhet të jetë e qartë dhe me zë të lartë të kundërshtojë lojërat mashtruese politike të Kurtit. Ndryshe, të gjithë së bashku po futen thellë e më thellë në grackat e politikës diverzive serbe”.

“Rruga e vetme përpara është forcimi i partneritetit dhe komunikimi e koordinimi sistematik me ShBA-të dhe vendet tjera të QUINT-it. Dialogu me Serbinë dhe normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërshtetërore me njohje të ndërsjellë është dhe duhet të jetë prioritet mbi të gjitha prioritet i çdo partie politike në Kosovë”, ka përfunduar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore