Lajme

Hyseni për Qeverinë dhe opozitën: Mos luani me fatin dhe të ardhmen e Kosovës


Me kritika për Qeverinë dhe opozitën ish-ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës dhe zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Skënder Hyseni, pas letrës që Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i ka dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e ku janë specifikuar saktë kërkesat amerikane sa i përket procesit të negociatave në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.

Hyseni në reagimin e tij ka thënë se dialogu dhe marrëveshja finale me Serbinë duhet të jetë prioritet i parë i çdo Qeverie në Kosovë, derisa ka shtuar se pa asnjë vonesë ky proces duhet të rikthehet në “binarë”.

“Dialogu me Serbinë dhe normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërshtetërore me njohje të ndërsjellë është dhe duhet të jetë prioritet mbi të gjitha prioritet i çdo qeverie të Kosovës”.

“Prandaj, pa u vonuar, dialogu me Serbinë duhet të rikthehet në kornizën e duhur”, ka shkruar Hyseni në rrjetin social “Facebook”.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Skënder Hyseni

Tutje ai ka thënë se çfarëdo zvarritje e mëtejme e procesit do të “betononte” edhe më tej status-quon dhe do të rrezikonte shtetësinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Çdo zvarritje e mëtejme e marrëveshjes me Serbinë, Kosovën mund ta betonojë në status-quo, e që në terma praktik do të thotë izolim dhe rrezikim i vet shtetësisë dhe pavarësisë së saj”.

Ish i pari i MPJ-së, Hyseni konsideron se stabiliteti afatgjatë i Kosovës dhe konsolidimi ndërkombëtar i shtetësisë përmes rrumbullakimit të subjektivitetit të saj “nuk është i mundur pa një marrëveshje për njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë”.

Pa marrëveshje mes këtyre dy vendeve, për Kosovën “nuk mund të ketë progres as në rrugën për anëtarësim në NATO e as BE”, ka shkruar ai.

Ai kërkon që për këtë çështje “të vendoset komunikim dhe koordinim sistematik me Administratën e re amerikane të Presidentit Biden”.

Tutje ai ka tërhequr vërejtjen Qeverisë se nuk është e pranishme në qendrat e vendimmarrjes duke thënë se duhet të bëjë përpjekje që ato ta kenë në agjendë çështjen e Kosovës.

“Në Uashington, Bruksel, Berlin, Londër, Paris dhe Romë, Qeveria e re duhet të intensifikojnë praninë dhe përpjekjet për mbajtjen në agjendë të Kosovës”.

Sipas tij, Qeveria injoron në vazhdimësi thirrjet e partnerëve të Kosovës.

”E fundit nga këto thirrje është letra e sekretarit amerikan Blinken dërguar kryeministrit Kurti me 11 janar, ku nënvizohet qartë urgjenca, pesha dhe rëndësia që ka dialogu me Serbinë dhe normalizimi përmes njohjes së ndësjellë”.

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken

Hyseni thotë se Qeveria duhet të tërhiqet nga barrikadimet populiste dhe nga “retorika tensionuese e cila është në kundërshtim të plotë me interesat jetike të vendit”.

Andaj, sipas tij edhe pozita edhe opozita, aktualisht e fjetur, duhet të kuptojnë se “mbajtja pezull, në gjendje të ngrirë e kontestit Kosovë-Serbi” është rreziku më i madh.

Ish kryediplomati Hyseni konsideron se ky rezon politik dhe kjo sjellje e pozitës e opozitës, mund ta fut vendin në margjinat e territoreve pa subjektivitet “ku mund të mbetet përgjithmonë, si një vend eksperimentesh dhe kusuritjesh në rrafshin global!”, ka shkruar Hyseni në reagimin e tij.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore