Lajme

Hyseni pasi e shkarkoi drejtoreshën e Arsimit: Parimet s’i shkelim


Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, pasi e ka shkarkuar Slevije Sylejmanin nga pozita e drejtoreshës së Arsimit, ka thënë se këtë e ka bërë për mos t’i shkelur parimet e tij.

“Disa ankesa janë të mjaftueshme për të ngjallë dyshimin se një proces nuk po shkon siç duhet, andaj konkursi për rekrutim të mësimdhënësve në Drejtorinë Komunale të Arsimit anulohet dhe kthehet në pikën zero, duke ju mundësuar të gjithë aplikuesve vlerësim të drejtë”, ka shkruar Hyseni në Facebook.

Ai ka theksuar se është i vendosur në qëndrimet e tij dhe se shpresa e qytetarëve për ndryshim nuk do të mbytet për aq kohë sa kohë është kryetar.

“Barazia dhe drejtësia janë dy parimet që përcjellin punën tonë, dhe nga të cilat nuk ndahemi. Vazhdojmë të qeverisim drejt, për çfarë edhe jemi zotuar para jush”, shtoi ai .

Gjatë ditës së enjte të 9 dhjetorit në një ceremoni solemne në Kuvendin Komunal të Gjilanit, Alban Hyesni ishte betuar para qytetarëve si kryetari i ri i Gjilanit.

Hyseni, para kuvendarëve të Komunës së Gjilanit ka bërë të ditur se do e sjellë frymën e re që banorët e Gjilanit e kanë pritur.

“Sot jemi në mbledhjen e parë të kuvendit të ri të Gjilanit, kuvendit komunal të ndryshimit dhe zhvillimit që e pret komunën në katër vitet e ardhshëm rotacioni ishte i pashmangshëm për të sjell frymën e re që banorët e Gjilanit po e prisnin e që reflektuan me votë fillimisht me 17 tetor e pastaj dhe definitivisht me 14 nëntor”, ka thënë Hyseni.

Ai pati premtuar se do të jetë zëri nëpërmjet të cilit do të diskutohen dhe zgjidhjen të gjitha problemet e qytetit dhe fshatit. “Banorët e Gjilanit faleminderit për besimin tuaj që tashmë po e përkthejmë në bashkëqeverisje gjithëpërfshirëse për të gjitha moshat shtresat lagjet dhe fshatrat”.

“Qasja jonë do të jetë e njëjtë dhe e përbashkët për të gjithë”, ka përfunduar ai.

Alban Hyseni ka marrë besimin e 21 mijë e 374 gjilanasve, duke e lënë pas kundër kandidatin e tij nga LDK, Lutfi Hazirin, për 859 vota më shumë, në raundin e dytë të Zgjedhjeve Lokale të 14 nëntorit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore