Lajme

Hyseni: Lumir Abdixhiku është servil dhe hipokrit i Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit


Ish-koordinatori shtetëror për dialogun Kosovë-Serbi, Skënder Hyseni ka reaguar në lidhje me rezolutën kundër referendumit serb, ndërsa nuk ka hezituar të shpreh hapurazi kritikat kundrejt Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku.

Hyseni e ka quajtur “hipokrizi politike”, vendimin e të parit të LDK-së pr votimin e rezolutës, ndërsa posaçërisht Abdixhikun e ka cilësuar si “servil” të presidentes, Vjosa Osmani dhe kryeministrit, Albin Kurti.

Skënder Hyseni – Ish-koordinatori shtetëror për dialogun Kosovë-Serbi.

“Për këtë maskaradë prej seance kuvendore, Kurtit e Osmanit u duhej një pjesë e opozitës në mënyrë që këta të dy të heqin çfardo përgjegjësie nga vetja e tyre”, ka shkruar Hyseni.

“Këtë përkrahje e gjetën, ku tjetër pos te servili dhe hipokriti politik, aleati i tyre Lumir Abdixhiku i LDK-së, i cili me aleancën e tij të heshtur me Kurtin e Osmanin, përkatësisht me servilizmin dhe hipokrizinë e tij politike, e ka infektuar keq edhe një pjesë të LDK-së”, ka shtuar ai.

Sipas Hysenit, vendimi për mos lejimin e votimit të referendumit serb brenda territorit të Republikës së Kosovës ka qenë diçka që është dashur të vendoset nga krerët shtetëror dhe jo të merrej kartoni jeshil nga deputetët e kuvendit.

“Askush nuk e ka vënë në dyshim karakterin ani-kushtetues të votimit, edhe në territorin e Kosovës, në një referendum të shtetit serb. Rrjedhimisht ndalimi i këtij referendumi ishte obligim kushtetues i Qeverisë, dhe kjo duhej të ndodhte në koordinim me aleatët dhe miqtë e Kosovës”.

“Është e sigurt se po të kishim Kryeministër dhe Ministri të Jashtme do të mirrej edhe dakordimi për ndalimin e referendumit. Për t’u arritur ky koordinim dhe dakordim Kurti e Osmani kanë pasë gadi dy muaj kohë”, ka shkruar ai.

Mes tjerash, ish-koordinatori shtetëror për dialogun Kosovë-Serbi, e ka cilësuar si të rëndë gjendjen aktuale nëpër të cilën po kalon LDK, ndërsa fajtor kryesor e ka quajtur të parin e kësaj partie, Lumir Abdixhikun.

“LDK vështirë që do të mund të dal nga kurthi në të cilin e ka futur Lumir Abdixhiku, duke e bërë këtë parti pjesë të një politike populliste, rrënuese për vendin, politikë e rrezikshme e cila sapo ka zënë të ngre kokë”, ka shkruar Hyseni.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore