Libra

Huqja letrare e Kurtit – nxjerr analogji mes ‘Të huajit’ të Kamysë dhe Ramë Lahajt


Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, jo rrallëherë i jep vetes liri artistike në të shprehurit, me intertekste që lënë ambiguitet të hapur për të kuptuar mesazhin e dhënë.

Për rastin e mbylljes së koncertit të së shtunës të Ramë Lahaj, i pari i ekzekutivit në llogarinë e tij në Facebook shkroi se “Nëna vdiq sot”, kështu e mbylli koncertin mbrëmë Ramë Lahaj, njësoj siç e fillon Albert Kamy romanin e tij të famshëm “I huaji”, duke prodhuar kështu një huqje totale mes ndodhisë dhe referencës.

Si shprehje është problematike në vetvete, pasi që, personazhi i Kamysë te romani ‘I huaji’ është krejtësisht indiferent ndaj lajmit për vdekjen e nënës së tij, kurse Ramë Lahaj e përfundoi koncertin për t’iu bashkangjitur familjarëve e të mbajë zi për vdekjen e nënës.

Meursault, personazhi i “tëhuajësuar” i filozofit Albert Kamy, nuk ndjen vuajte për vdekjen e nënës së tij, e nuk i shkon as në varrim, dhe përnga përmbledhja filozofike që autori francez bën, kjo është konsistente me Mersault-in pasi që ai gjatë kohës sa i jeton e ëma nuk ka pasur ndjenja për të, e pse të ketë ndjenja pas vdekjes?

Pra, ndoshta Kryeminstri në ruminimet e tij të holla filozofike tejkalon transmetuesit dhe përcjellësit e ngjarjeve publike, mirëpo ai si i pari i ekzekutivit të shtetit, s’e ka lirinë letrare të filozofit, por të qartësisë publike që ai (duhet të) mëveshë.

Përveç paqartësisë ekspresive të kryeminstrit, ai përfundoi qartazi se “Pas një viti të mundimshëm, jeta ka filluar t’i rimerr ngjyrat e saj. Interesimi i madh i qytetarëve mbrëmë është edhe thirrje për aktivitete të tjera kulturore e artistike”.

Ramë Lahaj, tenori i famshëm shqiptar dhe ndërkombëtar, lajmëroi edhe në llogarinë e tij në Facebook për vdekjen e së ëmës, dhe shkroi se “Miq, shokë e dashamir, nanen Hale e varrosim sot më 8 gusht 2021 në varrezat e fshatit Lubozhdë të Istogut, në ora 16:00! Ju falëmnderit për ngushëllimet dhe kujdesin”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore