Sport

Humbja turpëruese, Mourinho pranon fajin, por e ka me lojtarët…


Roma mori një humbje turpëruse në shifrat 6-1 ndaj një kundërshtari modest si Bodo/ Glimt-i në Conference League. Një kundërshtar i cili si qytet (Bodo) nuk i kalon më shumë se 55 mijë banorë, ndërsa stadiumi i Roma-s “Olimpico” ka më shumë se 70 mijë vende.

Kjo është dhe e bukura e futbollit. Nuk ka ndeshje të lehta dhe nuk ka kundërshtarë të thjeshtë, nëse ndeshjen nuk e merr me seriozitetin e duhur.

Por, për Jose Mourinho-n, duke se ajo humbje, më e thella në karrierën e tij, ka diçka pozitive. Pak ditë më parë, portugezi u ankua para gazetarëve për mungesën e lojtarëve cilësor në stolin e Roma-s.

58-vjeçari vuri në pikëpyetje aftësinë e lojtarëve si Brian Reynolds-i, Riccardo Calafiori dhe Marash Kumbulla.

“Une jam ai që vendosi të luaj me ekipin që përdorëm sonte (të enjten), kështu që është përgjegjësia ime”, the Mourinho për “Sky Sport Italia”.

“E bëra me qëllime të mira dhe për t’u dhënë mundësi atyre që punojnë shumë dhe gjithashtu për t’u dhënë pushim disa djemëve. Humbëm ndaj një ekipi cilësor, kaq e thjeshtë”.

“Nëse do të mund të përdorja të njëjtët lojtarë në çdo ndeshje. Është e rrezikshme sepse ka një hendek të madh midis lojtarëve tanë të parë dhe të dytë. Prisja më mirë, por është përgjegjësia ime”.

“Çdo humbje është një plagë. Unë fola sinqerisht me lojtarët. E mira është se askush nuk do të vazhdojë të më pyese pse të njëjtët lojtarë vazhdojnë të luajnë”, shtoi portugezi.

Roma do të përballet të dielën në Serie A me Napoli-n. Skuadra e Luciano Spalletti-t pas tetë javëve kampionat, nuk ka asnjë humbje dhe renditet në vendin e parë me 24 pikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore