Shqipëria

Humbja e Sassoli-t, Rama: Çfarë trishtimi, një evropian i paepur


Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli, ka ndërruar jetë në orët e para të së martës së 11 janarit, duke lënë një boshllëk të madh në strukturat e Bashkimit Evropian dhe duke shkaktuar trishtim në bashkëpunëtorët, të cilët e rrethonin.

Një mesazh mbi humbjen e tij ka ardhur edhe nga Kryeminsitri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka zgjedhur një postim në Facebook, për ta kujtuar Sassolin.

“Çfarë trishtimi! Miku ynë i mirë, Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli ndërroi jetë befasisht duke lënë pas një boshllëk të ndjeshëm tek kushdo pati nderin e kënaqësinë ta njihte”.

Rama e cilëson Sassolin si një evropian të paepur dhe italian krenar. Sakaq, e quan atë një avokat të zjarrtë të Shqipërisë.

Kreu u Qeverisë nuk ngurron të kujtojë as karrierën e gjatë të Sassolit në media, duke shkruar se ai ishte një gazetar i shquar fillimisht e më pas një politikan i respektuar nga të gjithë.

Kontributi i Sassolit

Sassoli ishte përballë tre kandidatëve të tjerë, kur i hyri garës për postin e lartë brenda strukturave të BE-së.

Që në fjalën e parë, fryma përbashkuese e unionit u ndje në fjalët e tij. Presidenti i sapo zgjedhur në vitin 2019, u bëri thirrje të gjitha vendeve që të përqaseshin për nga filozofia e themeluesve të organizimit.

Kështu, ai e nisi retorikën anti-nacionaliste. Një frymë e tillë përçarëse, ishte futur në gjithë Evropën e veçanërisht në vendet anëtare të Bashkimi Evropian.

“Të lëmë pas luftën dhe nacionalizmin, në këmbim të paqes dhe barazisë”.

Ky ishte mesazhi, i cili e shoqëroi atë në gjithë rrugëtimin tre-vjeçar kur mbajti postin.

Sakaq, një dekadë më parë, në vitin 2009, ai la pas karrierën tre-dekadente në gazetari, për t’u zgjedhur si anëtar i Parlamentit Evropian nën përfaqësinë italiane.

Ai bëri pjesë në Aleancën e Socialistëve dhe Demokratë – e dyta më e madhe brenda PE-së.

Humbja e madhe

Ngushëllimet e para kanë ardhur edhe nga radhët e kolegëve të tij.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shkroi mbi shuarjen e Sassoli-t.

“Jam shumë e trishtuar për humbjen e tmerrshme të një evropiani dhe italiani krenar. David Sassoli ishte një gazetar me pasion, President i pashoq i PE-së dhe mbi të gjitha, një mik i mirë”.

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe Presidenti i Këshillit të Evropës, Charles Michel, i cili i kishte uruar edhe një shërim e rikthim të shpejtë, natën e shkuar, kur Sassoli u shtrua në spital.

“Ndihem i prekur pas lajmit të shuarjes së presidentit Sassoli”, shkruan ai. “Evropian i sinqertë dhe i apasionuar. Na mungon që tani ngrohtësia e tij njerëzore, bujaria, mirësjellja dhe buzëqeshja”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore