Pajisje

Huawei raporton rënie të ardhurash me 29%


Kompania Huawei e telekomunikacionit ka deklaruar se të ardhurat vjetore kishin rënë me gati një të tretën nga viti i kaluar.

Kjo ka ardhur pasi kompania po rëndohej vazhdimisht nga sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që kanë goditur shitjet e telefonave inteligjentë.

Kështu ka bërë me dije agjencia e lajmeve, “The Guardian”.

Ka kohë që Huawei ndodhet mes një rivaliteti tregtar dhe teknologjik SHBA-Kinë, pasi administrata e ish-presidentit Donald Trump e shënjestroi kompaninë mbi shqetësimet se mund të përbënte një kërcënim për sigurinë kibernetike.

Këtë vit, të ardhurat e firmës kanë rënë me 29 për qind nga viti në vit në 634 miliardë juanë, ka zbuluar kryetari Guo Ping në një mesazh për vitin e ri.

“Në vitin 2021, pavarësisht të gjitha sprovave dhe mundimeve, punuam shumë për të krijuar vlera të prekshme për klientët dhe komunitetet lokale”, ka thënë Guo.

Ai ka vijuar se “rritëm cilësinë dhe efikasitetin e operacioneve dhe presim që ta përmbyllim vitin me një të ardhur totale prej 634 miliardë juanë”.

Gjithashtu ka shtuar se segmenti i transportuesit të telekomunikacionit kishte “mbetur i qëndrueshëm” dhe “performanca e përgjithshme ishte në përputhje me parashikimet”.

Për Guo-n, kompania ishte në një rrugë “me pengesa, por shpërblyese”, duke shtuar se viti 2022 do të vijë me “pjesën e tij të drejtë të sfidave”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore