Pajisje

Huawei humbet gjyqin për rrjetin 5G në Suedi


Një gjykatë suedeze ka hedhur poshtë një apelim nga Huawei kundër përjashtimit të saj nga rrjeti 5G i Suedisë. Vendimi i gjykatës rihap konkurimin e javës së ardhshme për kompanitë e interesuara për të ofruar rrjetin 5G për Suedinë.

Kompania kineze e telekomunikacionit kishte apeluar kundër një vendimi nga Gjykata Administrative e Apelit.

Gjykata Administrative e Apelit vendosi të lejonte Autoritetin Postar dhe të Telekomunikacionit Suedez (APT) të rihapte konkurimin.

Huawei po pret vendime për dy apelime të tjera që bëri në nëntor në lidhje me ndalimin e APT-së. Sipas kompanisë kineze, kushtet e ndalimit nga APT-ja janë subjekt për një rishikim ligjor.

Suedia deklaroi në tetor se do të ndalonte Huawei-n dhe ZTE-në nga përdorimi i rrjetit 5G për arsye që lidhen me sigurinë kibernetike. Shteti suedez i dha kompanive afat deri në 1 janar 2025, për të hequr pajisjet nga infrastruktura ekzistuese dhe funksionet kryesore të rrjetit.

APT-ja vendosi muajin e kaluar se do të rifillonte konkurimin për rrjetin 5G më 19 janar.

Borje Ekholm, drejtori ekzekutiv i Ericsson-it, deklaroi në nëntor se vendimi për të ndaluar Huawei-n kufizon konkurrencën dhe tregtinë e lirë.

Ai ka lobuar tek një ministër suedez që të mundësohej përfshirja e kompanisë Huawei në sistemin 5G të vendit.

Në lidhje me zhvillimet e fundit, kompania Ericsson nuk ka bërë akoma një deklaratë zyrtare./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore