Lajme

Vendimi për vizat të mërkurën


Ilustrim

Të mërkurën pritet të jetë në rend dite në takimin e ambasadorëve të Bashkimit Evropian në Bruksel, miratimi i vendimit për liberalizimin e vizave për kosovarët.

Kështu të paktën raporton Radio Evropa e Lirë duke u thirrur në burime diplomatike.

Në takimin e këtij grupi, raporton Radio Evropa e Lirë, të njohur si COREPER (Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Qeverive të Shteteve Anëtare në Bashkimin Evropian), pritet të miratohet pa diskutim, pasi për tekstin e tij, vendet anëtare të BE-së janë pajtuar më 22 nëntor, në një takim të këshilltarëve për çështje të brendshme dhe drejtësi.

Ndryshe një javë më parë propozimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, ishte hequr nga agjenda e takimit të ditës së mërkurë të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së, kishte njoftuar Presidenca Çeke.

Arsyet për këtë ishin politike dhe lidheshin me situatën në Veri të Kosovës.

“Për shkak të zhvillimeve politike në veri të Kosovës, ta kemi këtë pikë në agjendën e COREPER-it (Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Qeverive të Shteteve Anëtare në Bashkimin Evropian) nuk është ideale”, kishte thënë Presidenca çeke e BE-së për Albanian Post.

Sipas saj, diskutimi për këtë çështje do të mbahet më 30 nëntor.

“Presidenca çeke mban Ballkanin Perëndimor lart në agjendën e saj, veçanërisht tani para samitit të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën është në procedurë të brendshëm të Këshillit”, thuhet më tej në përgjigjen e Presidencës çeke për AP.

Në anën tjetër përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së u pajtuan me propozimin që liberalizimi i vizave për Kosovën të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024.

Kjo datë ishte kërkesë e Spanjës – njërit prej pesë vendeve të BE-së që nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës.

Paraprakisht, Republika Çeke – e cila aktualisht udhëheq presidencën gjashtëmujore të BE-së – kërkoi që liberalizimi i vizave për Kosovën të fuqizohet më 1 dhjetor të vitit 2023.

Por, ky propozim nuk kaloi në një takim të grupit punues të BE-së për vizat, që u mbajt javën e kaluar, pasi Spanja e më pas edhe Sllovakia dhe Suedia paraqitën vërejtje dhe kërkuan, siç thanë, sqarime shtesë. Arsyet e tyre nuk u bënë të qarta.

Sipas propozimit të miratuar të martën, “hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të nisë në kohën kur të jetë funksional sistemi i udhëtimit ETIAS, por jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024”.

“Tensionet në Veri” – liberalizimi i vizave largohet nga agjenda

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore