Lajme

Vendimi për ndarjen e 11 milionë eurove për Veriun mund të përfundojë në Kushtetuese – “cenon të drejtat e qytetarëve”


Ilustrim

Avokati i popullit Naim Qelaj, tha për Albanian Post “se vendimi i Kuvendit të Kosovës për ndarjen e 11 milionë eurove për pagesën e rrymës në veri të enjten në një njëfarë mënyre cenon prapë të drejtat e qytetarëve në përgjithësi, sepse në fund të fundit këtu mjete që ndahen për mbulimin shpenzimeve janë të buxhetit dhe të taksapaguesve të Kosovës”.

Megjithatë, ai theksoi se në ditët në vijim do ta analizojnë këtë rast dhe do ta dalin me një deklaratë zyrtare.

“Ne do ta analizojmë në ditët ne vijim këtë rast dhe nëse e konsiderojmë që është e nevojshme do të dalim me deklaratë zyrtare”, tha Qelaj.

Ndërkaq, anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, theksoi për Albanian Post se po e shqyrtojnë mundësinë që këtë rast ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

‘Juristët e grupit parlamentar janë duke i shqyrtuar të gjitha rrugët ligjore për ta ankimuar, por nuk do të ndalemi edhe me veprimet e tjera politike karshi kësaj pagese”, potencoi Gjoshi për Albanian Post.

Po ashtu ai shoti se “jemi duke e analizuar rrugën kushtetues, por edhe ligjore civile, ne i bëjmë thirrje edhe bordit të KOST-it që mos të merr veprime anti-ligjore që mos të përballen para ligjit edhe do të kenë përgjegjësi juridike për transfere anti-ligjore”.

Të enjten, me 61 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar rekomandimet e Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Industri Ndërmarrësi, dhe Tregtisë, që t’iu alokohen mjetet financiare dhe përgjegjësitë, që Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT, të bëjë pagesën e faturave të energjisë elektrike për serbët që jetojnë në katër komunat veriore të Kosovës.

Ndërkaq, zëdhënësja e KOSTT-it, Zana Rama tha muajin e kaluar për Albanian Post se këto mjete kanë qenë të domosdoshme për të mos rrezikuar Kosova anëtarësimin e saj në Rrjetin e Operatorëve të Sistemit të Transmetimit të Evropës (ENTOS) pasi që nga viti 2017 përgjegjësinë për të mbuluar humbjet nga furnizimi me energji elektrike për pjesën veriore të Kosovës, nga Kompania Furnizuese (KESCO) i është kaluar KOSTT.

“Në momentin që Kosova apo KOSTT është pavarësuar nga Blloku SMM (Serbi, Mali i Zi, Maqedoni e Veriut) dhe është bërë zonë e pavarur rregulluese në kuadër të Bllokut AK (Shqipëri-Kosovë) – zona sinkrone e Evropës Kontinentale të ENTSO-E – çdo devijim i zonës që mbulon Sistemin Elektroenergjetik të Kosovës, konsiderohet devijim i Kosovës.

Banorët e katër komunave në veri të Kosovës Leposaviq, Mitrovicë Veriore, Zubin Potok dhe Zveçan që nga viti 1999, pas përfundimit të luftës nuk kanë paguar faturat e shpenzuara të energjisë elektrike.

Këto borxhe, deri në vitin 2017 u janë faturuar qytetarëve nga viset e tjera të Kosovës.

Ndërkohë, një vendim i Gjykatës së Apelit, i pati dhënë fund praktikës që konsumatorët e pjesëve tjera të Kosovës të paguajnë energjinë për banorët serbë në veri të vendit, të cilët nuk i njohin institucionet e Kosovës dhe për këtë kompanitë që duhet të mbledhin faturat, nuk kanë qasje në atë pjesë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore