Kosova

Opozita kërkon nga Kurti që të përgënjeshtroj zëdhënësin e Qeverisë


Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, Lumir Abdixhiku (LDK) dhe Ramush Haradinaj(AAK)

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ish-kryeministri, Ramush Haradinaj, i ka kërkuar kryeministrit, Albin Kurti, ta përgënjeshtrojë deklaratën e zëdhënësit të Qeverisë, se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë e nënshkruar në Washington është juridikisht e pavlerë.

“Nëse Kryeministri, nuk e përgënjeshtron këtë deklaratë të zëdhënësit të tij, ai merr gjithë përgjegjësinë e rrezikimit të partneritetit strategjik me Amerikën që është jetik për Kosovën. Këtë nuk do të mund ta bëjë askush, asnjë qeveri e asnjë kryeministër”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ai ka deklaruar se përmes kësaj deklarata kryeministri merr përgjegjësinë për rrezikimin e partneritetit me SHBA-ës.

Kurse kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar ndaj kësaj deklarate. Ai potencoi se “çdo marrëveshje ndërkombëtare e arritur me SHBA-në është e obligueshme”.

“Aq di i shkreti s’di më shumë. Çdo marrëveshje ndërkombëtare me SHBA-në është e obligueshme dhe është në interes të Kosovës”, është shprehur Abdixhiku.

Edhe Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar për qasjen e qeverisë Kurti ndaj Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Zyrtari i PDK-së, Betim Gjoshi tha se krejt çfarë i ka rastisur të dëgjojë këto ditë janë lajmet për përplasjet e qeverisë dhe presidentes Osmani.

“O njerëz, ndaluni. SHBA-ja dhe BE-ja janë aleatët tanë dhe adresa jonë”, ka shkruar Gjoshi në rrjetin social Facebook.

Ndërsa, ju ka bërë thirrje Kurtit e Osmanit “O njerëz, ndaluni. Ju jeni duke punuar për shtetin e Kosovës dhe nuk po përfaqësoni Teheranin”, ka shkruar Gjoshi në rrjetin social Facebook.

Në një deklaratë për media, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, kishte deklaruar në mes tjerash se marrëveshja e 4 shtatorit në Washington, e nënshkruar nga qeveria Hoti – “nuk ka vlerë dhe natyrë juridike”, duke shtuar se ajo asnjëherë nuk ka vajtur në Kuvend për votim.

Kryeziu më pas ka thënë se kjo marrëveshje është nënshkruar nga një Qeveri pa legjitimitet.

“Në kohën e nënshkrimit të këtij dokumenti ishte pa legjitimitet dhe më pastaj në ndërkohë u patë vërtetuar se nuk gëzon ligjshmërinë e nevojshme për të qenë në Qeveri. Përtej asaj, ne jemi në kontakt me SHBA-në për të punuar së bashku për temat të cilat kanë interes të përbashkët”.

Nga ana tjetër Departamenti Amerikan i Shtetit kishte kërkuar nga Kosova dhe Serbia që ta zbatojnë Marrëveshjen e Washington-it për normalizim të plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Ne do të punojmë me Serbinë dhe Kosovën për të zbatuar angazhimet e tyre në Uashington në mbështetje të qëllimit të normalizimit të plotë”, thuhet në komunikatën për media.

Edhe sipas marrëveshjes së Washington-it nënshkruesit e saj (Kosova dhe Serbia), janë të detyruara të zbatojnë atë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore