Kosova

LDK: Qeveria nuk guxon ta nxjerr keq Kosovën e mirë Serbinë


Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se po ndjek me shumë kujdes situatën e krijuar pas dështimit të përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, deri kanë theksuar se Qeveria e Kosovës në asnjë rast nuk duhet të sillet në atë mënyrë që “Serbia të duket mirë dhe të fajësohet Kosova, siç ndodhi sot”.

“Shtrirja e ligjshmërisë në gjithë territorin është e drejtë e pamohueshme e Kosovës. Suksesin e garanton koordinimi me aleatët tanë, ShBA dhe BE”, thuhet në reagim.

“LDK-ja vlerëson se stabiliteti dhe siguria janë kushte thelbësore për të arritur progres, si dhe për të ushtruar sovranitetin në gjithë territorin e saj”.

Në këtë komunihet potencohet se Kosovës i duhen aleatët e saj, përkrahës historik të popullit të Kosovës.

“Kush i dëmton raportet me aleatët, rrezikon ta lë vendin tonë pa përkrahje. Kosova ka arritur deri këtu bashkë me aleatët dhe kështu duhet të vazhdojë edhe më tutje”.

Kosova s’e pranoi propozimin e BE-së, Serbia po – çka tash?

Ndërkaq kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë fajtor Bashkimin Evropian, saktësisht shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, për mos arritje të një marrëveshje këtë të hënë në Bruksel.

“Në propozimin që na kanë sjellur neve ka qenë edhe afati, marsi i vitit 2023. Ne po vijmë këtu për t’u marrë vesh për marrëveshje që arrihet para marsit. Borell hoqi dorë nga ky afat me keqardhje mund ta them, dhe nga propozimi i BE-së, po them me keqardhje sepse vetëm e kanë propozuar marsin e vitit 2023 dhe gjithashtu propozimi është i BE-së”.

Kurti ka sqaruar edhe se çfarë i ishte thënë në Paris në takim me Borell-in.

“Kur u takuam në Paris, Borell tha se propozimi nuk është franko-gjerman, por i BE-së. Në rregull pra, por sot ai hoqi dorë nga propozimi i BE-së. Unë jam i gatshëm që të vij këtu, të zhvillojë takime, gjithmonë me strukturën dhe rendin e njëjtë. Marrëveshja finale dhe çështje aktuale edhe si puna e këtyre targave, por nuk bën njëra pa tjetrën”.

Josep Borell, shefi i Diplomacisë së Bashkimit Evropian, ka dhënë një nga deklaratat më negative për Kosovën pas takimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Kishim një propozim”, tha Borell, “Presidenti Vuçiç e pranoi, kryeministri Kurti jo”.

“Për hir të transparencës më duhet të them se i vëmë para një propozim që do ta evitonte këtë situatë. Vuçiç e pranoi propozimin. Kurti nuk e pranoi. Rendi dhe ligji nuk duhet të shfrytëzohet si pretekst për eskalime”, deklaroi Borell.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore