Lajme

Kurti: Në Bruksel shkova për marrëveshjen finale, jo për targa


“Në Bruksel shkova për marrëveshjen finale jo për targa, por ata hoqën dorë”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë një konference për media kur u pyet për çështjen e targave.

“Afatin e 23 marsit nuk e kam shkruar unë, e ka shkruar Brukseli në ftesë, në ftesën e Brukselit ‘draft statement’ që synohej në fund të bëhej publike është paragrafi ku shkruhej bisedimet përfundoni në marsin e vitit 2023”, tha Kurti.

Kurti e konfirmoi edhe raportin e Albanian Post për para marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, e ku thuhej se duhet të arrihet më së largu deri më 24 shkurt.

“Për herë të parë kemi afat, a din çka kam kërkuar unë aty, të jetë shkurti i vitit 2023, pse jo shkurti më shpejt më mirë, jo thanë nuk bënë shkurti bënë marsi, unë thashë shkurti ata thanë marsi, hajt po e lëmë marsin”, shtoi ai.

Ekskluzive: Kjo është rruga e para-marrëveshjes Kosovë – Serbi, gjithçka duhet të kryhet para datës 24 shkurt ose pason “shkopi i rëndë”

“Nuk është marsi ide e imja, ‘before march’, thotë aty. Mua ashtu më kanë ftuar, unë ashtu e kam blerë biletën. Nuk është koha për ambicie të vogla, është koha për hapa të mëdhenj”.

Kurti shtoi se pala kosovare është treguar konstruktive, “por jo edhe palët e tjera”.

“Të tillë do jemi edhe në takimet e ardhshme”.

Kryeqeveritari kosovar e ka ripërsëritur se është i gatshëm të diskutojë për propozimin franko-gjerman me palën serbe dhe BE-në.

“Ne jemi të gatshëm që propozimi franko-gjerman të vendoset në tryeze një orë e më parë. Kur unë i thashë Borrellit në Paris për propozimin franko-gjerman, ai tha ky është propozim i BE-së. Në Bruksel e pash që po të ishte propozim i BE-së nuk heqin dorë kaq lehtë”.

Kurti ka potencuar se “48 orë janë të mjaftueshme për një shans të re për bisedime”.

Madje, ai vuri në pah se kanë qenë të gatshëm që fazën e dytë ta shtynë dhe Serbia të mos lëshojë targa ilegale, në mënyrë që të bisedohet për një marrëveshje finale deri në marsin e vitit 2023.

I pari i ekzekutivit ka treguar që tashmë në Bruksel ka udhëtuar zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, për të biseduar me palën serbe për çështjen e targave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore