Lajme

KFOR-i e konfirmon për Albanian Post largimin e ushtarëve ukrainas nga Kosova


Zyra për media e KFOR-it e ka konfirmuar për Albanian Post se ushtarët ukrainas do të largohen nga Kosova dhe përgatitjet për largimin tashmë kanë filluar dhe kontingjenti ukrainas do të largohet deri në fund të gushtit 2022.

“Është e rëndësishme të shtohet se është pezullimi i përkohshëm i pranisë së tyre në KFOR, ata do të kthehen sapo situata në Ukrainë të kthehet në normalitet”, thuhet në përgjigje.

“Kjo është në përputhje me dekretin e Presidentit Zelensky të lëshuar në mars, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Falënderojmë trupat ukrainase për kontributin e tyre të rëndësishëm në misionin e KFOR-it të udhëhequr nga NATO gjatë shumë viteve”.

Sipas KFOR-it, për momentin, kontingjenti ukrainas përfshin 40 trupa. Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO dhe i mandatuar nga OKB përfshin mbi 3 mijë e 700 trupa nga 28 vende kontribuese, duke përfshirë aleatët dhe partnerët e NATO-s.

“Ukraina ka qenë një kontribues i vlefshëm në misionin tonë paqeruajtës që nga themelimi i KFOR-it në vitin 1999”.

“Ne mirëpresim kontributet e kahershme të vendit në përpjekjet tona të përditshme në mbështetje të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë dhe në konsolidimin e stabilitetit në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

Në muajin mars, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky inicioi dekretin ku urdhëroheshin që të gjithë ushtarët të ktheheshin në Ukrainë për të ndihmuar në luftën me Rusinë.

Ukraina do e përmbyllë shërbimin e saj 23 vjeçar në Kosovë për t’u rikthyer në shtëpi

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore