Lajme

Ia vodhën 50 mijë euro që s’i kishte deklaruar në AKK – Shkreta: Po sulmohem padrejtësisht nga disa qarqe


Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mirsad Shkreta, ka reaguar pasi hajnat ia vodhën 50 mijë euro kesh në banesën ku jeton, por këto para, nuk figurojnë në deklarimin e deputetit Shkreta në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

“Ashtu siç e thotë ligji, njoftuam organet e policisë dhe të drejtësisë dhe, konform kërkesave të tyre, ofruam bashkëpunim pa bërë prononcime publike, në mënyrë që këto organe të bëjnë punën e tyre të pavarur në drejtim të kapjes sa më të shpejtë të keqbërësve”, ka shkruar Shkreta.

Por, ai ka thënë se po sulmohet padrejtësisht nga disa qarqe, “të cilët, përveç që po na sulmojnë padrejtësisht e po dezinformojnë, po kujdesen që të mos flitet për vjedhjen dhe aktin e rëndë vjedhjes e të rrezikimit të sigurisë së një familje me dy fëmijë të vegjël”.

“Prandaj, tendenca për ta lidhur gjithçka me këtë post është qëllimkeqe dhe thellësisht e padrejtë, aq më tepër kur e njëjta lidhet edhe me qëndrimet dhe deklarimet e mia politike. Ftoj të gjithë miqtë e qytetarët, por edhe mediat, të jenë sa më bashkëpunues me organet e drejtësisë, ashtu siç bëmë ne kur iniciuam menjëherë rastin, në mënyrë që keqbërësit të kapen e të marrin përgjigjen e duhur, e në mënyrë që fëmijët tanë të rriten të sigurt në një shtet të së drejtës”.

“Rrugëtimi im profesional nuk është vetëm në fushën e politikës. Për të gjithë opinionin e gjerë, ne jemi një çift mjekësh, të cilët e ushtrojnë me nder e dinjitet këtë profesion prej më shumë se 20 vitesh dhe gëzojnë respektin e të gjithë pacientëve, studentëve, kolegëve dhe të njohurve të tyre”, shtoi ai.

Ai ka potencuar se asnjëherë nuk ka pasur pozita ekzekutive dhe i ka përmbushur sipas ligjit të gjitha obligimet në lidhje me deklarimin e pasurisë.

“Të njëjtën do ta bëj edhe për deklarimin e këtij viti në mars të vitit 2023, ashtu siç thotë ligji”.

Megjithatë, në vitin 2013, Shkreta ishte dënuar për mosdeklarim të pasurisë pranë Agjencisë Antikorrupsion, kur kishte pasë pozitën e asamblistit.

Gjykata Themelore në Ferizaj, në vitin 2013 e kishte dënuar me 300 euro gjobë për mosdeklarim të pasurisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore