Rajoni

Xhaferi për Albanian Post: I ftoj qytetarët maqedonas të regjistrohen – presim hapjen e negociatave me BE-në


Talat Xhferi, Kryetar i Kuvendit të Maqedonisë Veriore

Nga muaji mars i këtij viti ka filluar regjistrimi online i popullsisë në Maqedoninë e Veriut nga diaspora. Ky proces pritet të vazhdojë deri në shtator të këtij viti.

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë Veriore, Talat Xhaferi, tha për Albanian Post se regjistrimi i popullatës është i rëndësishëm për integrimin evropian të Maqedonisë.

Andaj i ka bërë thirrje diasporës që mos të hezitojnë të regjistrohen.

“Një nga standardet e evropiane është që të ketë regjistrim të popullatës, pasi jemi në pritje për t’i hap negociatat për anëtarësim të Maqedonisë në Bashkimin Evropian”, tha Xhaferi.

“Jo vetëm i popullatës shqiptare, por është i rëndësishëm regjistrimi i gjithë popullatës, për shkak që çdo shtet sipas normave ndërkombëtare duhet që brenda 10 viteve të ketë regjistrim të popullatës. Në Maqedoni që nga viti 2002 nuk ka regjistrim, kishte përpjekje në vitin 2011-12, por u ndërpre”.

“Apeli është që secili qytetarët të regjistrohet, ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe afatin e duhur”.

Por, ai nuk ka dashur të flasë kur është pyetur se sa pret që të jetë përqindja e shqiptarëve pas përfundimit të procesit të regjistrimit.

“Kjo është çështje hipotetike, regjistrimi do të tregon numrat e shqiptarëve që janë në Maqedoni. Subjektet opozitare kanë qenë për bojkotim të këtij procesi, kjo i pengon qytetarët për t’u regjistruar”, shtoi Xhaferi.

Ndërkohë, profesori i historisë në Universitetin e Prishtinës, Nuri Bexheti, që është me prejardhje nga Maqedonia, theksoi se pret që numri i shqiptarëve ta kalojë 30 përqindëshin.

“Unë jam i bindur që numri i shqiptarëve e kalon 30 përqindëshin e më lartë, të shtojmë këtu edhe përplasjet maqedono-bullgare për kontestin historik dhe kulturor”, tha Bexheti për Albanian Post.

“Vetë pjesëmarrja e shqiptarëve në kombëtaren e futbollit të Maqesonisë tregon se sa faktor të rëndësishëm janë shqiptarët, një kombëtare me pesë shqiptarë është simbolika ma e mirë e kësaj gjëje”.

Të premten në mbrëmje Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, miratoi propozim-ndryshimet e Ligjit për Regjistrimin e Popullsisë, me çka është shtyrë procesi i regjistrimit të popullatës brenda vendit deri në muajin shtator, për shkak të situatës me pandeminë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore