Lajme

LDK: Kosova s’duhet të bjerë pre e kurtheve që kanë për qëllim destabilizimin e vendit


Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e kryesisë ku është diskutuar për situatën aktuale politike në vend, derisa kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar kryesinë për takimin e tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

“Gjatë mbledhjes u ripërsërit nevoja për koordinim të ngushtë me aleatët tanë. Kosova nuk duhet të bjerë pre e kurtheve që kanë për qëllim destabilizimin e vendit e që mund të ketë pasoja të pariparueshme”, thuhet në njoftim.

Po ashtu në njoftim theksohet se institucionet e Kosovës duhet të punojnë ngushtë me aleatët dhe të sigurojnë paqe e stabilitet në gjithë territorin e Kosovës.

“Siç dhe jeni njoftuar, LDK-ja mbështet ushtrimin e ligjshmërisë në gjithë territorin e vendit si dhe koordimin e plotë me aleatët tanë, ShBA-të dhe BE-në”.

“LDK beson se koordinimi i ngushtë me miqtë tanë ndërkombëtarë është zgjidhja e vetme për situatën aktuale”.

Abdixhiku pas takimit me Kurtin: Qeveria s’ka plan

Abdixhiku, ka deklaruar se pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, e ka kuptuar se qeveria s’ka kurrfarë plani për situatën e krijuar në veri.

“Kemi shprehur gatishmërinë për të mbështetur çdo hap që synon ligjshmërinë në vend. Në këtë takim për pjesën më të madhe nuk kuptuam diçka të re përveç informatave që kryeministri deri tani i ka dhënë dhe nuk pamë ndonjë plan konkret për zgjidhjen e çështjes së re të krijuar në vakumin institucional e gjyqësorë ne Veri të vendit, si dhe nuk pamë ndonjë lëvizje ose gatishmëri për koordinim të plotë me aleatët tonë ndërkombëtarë”.

“Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, ne besojmë që koordinimi i ngushtë me departamentin e amerikane të shtetit, me institucionet e sigurisë amerikane me aleatët tonë në Uashington e në Bruksel është zgjidhje e vetme adekuate në situatën e tanishme që është Kosova”, ka thënë Abdixhiku.

Kryetari i LDK-së, theksoi se vetëm në këtë mënyrë do ta mbështesë ekzekutivin.

“Kosova duhet që me aleatët e vetë të sigurojë paqen, për një ecje të tillë Qeveria e Kosovës do të ketë mbështetjen e LDK-së. Kërkojmë koordinim të plotë me aleatët tonë për të stabilizuar situatën e sigurisë në vend”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore