Lajme

Konjufca ndërpret seancën: S’mund të bllokohemi pafundësisht për shkak të betejave politike


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka ndërprerë punimet e seancës së Kuvendit të Kosovës, pasi opozita kanë bllokuar foltoren  Kuvendit.

“Seancën e vazhdojmë javën e ardhshme, po ju paralajmëroj që seancat e Kuvendit nuk mund të bllokohen pafundësisht”, tha Konjufca.

“Senaca e sotshme shkoi si shkoi, pra me këtë bllokim i cili mua më u duk krejtësisht i paarsyeshëm, meqenëse nuk mendojë që ka pasur lidhje kjo seancë me temën për të cilën sot është protestuar dhe është bllokuar seanca”, shtoi ai.

“Nuk shoh kushte për vazhdimin e seancës pasi një pjesë e opozitës prapë po insiston që kjo seancë të bllokohet, e vazhdojmë atë javën e ardhshme”, ka thënë Konjufca.

Mos vazhdimi i seancës ishte kërkesë ekskluzive e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët këtë të enjte të 16 qershorit kanë protestuar para Qeverisë së Kosovës, për të shprehur indinjatën e tyre kundër mos-përfshirjes në Projektligjin për pagën minimale, i cili u miratua në lexim të parë dy ditë më parë në Kuvend.

Sipas veteranëve, seanca nuk duhet vazhduar deri sa Qeveria do të ulët e të bisedojë me ta, për çështjen e pagës minimale.

Ndonëse Albin Kurti, u ka ofruar takim krerëve të Veteranëve për të premten, kjo nuk ka kënaqur kërkesat e tyre. Veteranët duan që pensioni i tyre të lidhet me pagën minimale dhe nëse paga minimale nga 170 euro zhvendoset me ligj në 250 euro të ngrihet edhe pensioni.

“Unë natyrisht që jam për dialog. Dhe jam për të diskutuar me organizatat e dala nga lufta, me veteranët dhe me këtë rast nuk është se dialogu nuk ka ekzistuar. Do t’i takoj veteranët e luftës dhe ky nuk është takimi i parë, i kam takuar edhe më herët, do t’i takoj sërish”, ka thënë Kurti në Kuvendin e Kosovës.

Ankesa e Kurtit në foltoren e Kuvendit përsëri ka qenë se nuk po pastrohen listat dhe se nuk janë 60 mijë veteranë, por më pak.

“Unë jam i gatshëm që të bashkëpunoj edhe me organizatat e dala nga lufta dhe, jo vetëm, në mënyrë që të vijmë tek ai numri i vërtetë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore