Lajme

24 vjet nga dalja publike e UÇK-së në skenë – Ditëlindja e Adem Jasharit


Ushtria Çlirimtare e Kosovës

Sot më 28 nëntor bëhen 24 vjet nga dala publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Mujë Krasniqi, Daut Haradinaj dhe Rexhep Selimi, më 28 nëntor të vitit 1997, në Llaushë të Skenderajt në varrimin e mësuesit Halit Geci kanë dalë për herë të parë para opinionit publik si pjesëtarë të UÇK-së.

Mujë Krasniqi, Daut Haradinaj dhe Rexhep Selimi

Kësaj dalje i paraprijnë luftimet e para frontale ndërmjet UÇK-së dhe policisë serbe, të drejtuara nga komandanti legjendar, Adem Jashari.

Më 25 nëntor 1997 forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të drejtuara nga komandanti legjendar, Adem Jashari, sulmuan forcat e policisë në Vojnik të Skenderajt, të cilat u tërhoqën, duke lënë të vrarë dhe të plagosur.

Të nesërmen me 26 nëntor, një ekspeditë ndëshkimore me 10 automobila e mjete të tjera të motorizuara u drejtuan për në ketë fshatë, ku UÇK prapë i sulmoi dhe pas katër orë luftimesh të rrepta, forcat e policisë u tërhoqën duke lënë prapa të vrarë dhe të vdekur.

Kulla e Jasharajve në Prekaz

Në tërheqje e sipër, forcat serbe, të egërsuara nga goditjet që u kishte dhënë UÇK, filluan të qëllojnë pa mëshirë kundër kujtdo që shihnin dhe në fshatin Llaushë ata vranë mësuesin Halit Geci në derë të shkollës, i cili u varros me një ceremoni të madhe më 28 nëntor 1997.

Në këtë ceremoni varrimi, ku morën pjesë dhjetëra-mijëra qytetarë nga mbarë Kosova, u bë dalja e parë publike e UÇK-së.

Ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari

Komandanti legjendar Adem Jashari këtë 28 nëntor po të ishte gjallë do t’i bënte 66 vjet.

Ai ka lindur më 28 nëntor të vitit 1955 në Prekaz të Skenderajt. Ishte djali i tretë i Shaban dhe Zahide Jasharit.

Adem Jashari

Policia serbe kishte shënjuar që moti shtëpinë e Jasharëve. Më 5 mars 1998, që në orët e hershme, forca të mëdha të policisë serbe kishin mësyrë Prekazin.

Një pikë zjarri, e stacionuar që herët në lokacionin e fabrikës së municionit, që ishte në afërsi të shtëpisë së Jasharëve, ishte përforcuar me mjete të rënda artilerike.

Përforcimet e forcave serbe kishin ardhur edhe nga drejtimi i Klinës, Mitrovicës dhe Gllogovcit. Sulmi mbi Jasharët nis rreth orës gjashtë të mëngjesit.

Forcat policore jugosllave dhe ushtria e sulmuan shtëpinë e tij në mars të vitit 1998, ku Jashari ra heroikisht së bashku me 59 anëtarët e familjes së tij.

Fëmijët e familjes Jashari të vrarë në Prekaz

Në shtëpi ndodheshin pothuajse tërë anëtarët e familjes. Sulmi mbi Jasharët dhe qëndresa heroike e tyre zgjatë tri ditë: më 5, 6 dhe 7 mars 1998.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore