Lajme

Haxhiu: Për Vettingun duhet konsensus i gjerë, të mërkurën takohemi me përfaqësuesit AAK-së


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pret që partitë opozitare t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së kryeministrit Albin Kurti, për takimet që kanë të bëjnë me procesin e Vettingut në sistemin e drejtësisë.

“Po e fillojmë me partitë e opozitës për ta përmbyllur me të gjitha grupet që janë të përfaqësuara në Kuvend. Si Qeveri jemi të obliguar që t’i informojmë ato në raport me veprimet që i kemi marrë në këtë proces që është shumë i rëndësishëm. Nesër kemi planifikuar që ta mbajmë takimin me AAK-në. Për aq sa jam e informuar ata do të jenë të pranishëm”, tha Haxhiu në RTK.

Pos AAK-së, ajo ka paralajmëruar takime edhe me PDK-në dhe LDK-në, pasi sipas saj reforma në drejtësi kërkon konsensus të gjerë.

“E vlerësoj gatishmërinë dhe vullnetin për të bashkëbiseduar për një proces shumë të rëndësishëm. Ne i kemi ftuar liderët e partive por kjo nuk e përjashton mundësinë që ata t’i delegojnë përfaqësuesit e tyre”.

“Pavarësisht dallimeve politike dhe orientimeve tona ideologjike e programore, besoj se për reformën në drejtësi duhet të jemi të unifikuar sepse njësoj sikurse ne, edhe partitë tjera ballafaqohen me shqetësimet e qytetarëve për problemet me të cilat ata ballafaqohen”, ka thënë tutje Haxhiu.

Ajo ka thënë se Kosova është vonuar në procesin e Vettingut, “përkundër përpjekjeve të vazhdueshme sporadike që të reformohet sistemi i drejtësisë duket që ka munguar vullneti edhe i qeverisë në të kaluarën, por edhe vet sistemit të drejtësisë që të pranohen reformat dhe realisht të përmirësohen gjendja”.

Më 18 qershor, Haxhiu, në një konferencë për media, një ditë pasi mori pjesë në seancën e Komisionit të Venecias, ku ishin votuar dy opinione ligjore për Kosovën, ka treguar se kjo e fundit ka dhënë dritën e gjelbër, propozimit të Qeverisë së Kosovës për vettingun në sistemin e drejtësisë.

“Që të dyja këto nisma janë mbështetur nga anëtarët e Komisionit të Venecias dhe tashmë kemi marrë dritën e gjelbër për të filluar me procesin e Vettingut, por po ashtu edhe për të formalizuar punën e byrosë shtetërore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme”, ka thënë Haxhiu.

Sipas Haxhiut Komisioni i Venecias ka rekomanduar fillimisht verifikimin e krerëve të institucioneve të drejtësisë, përmes një mekanizmi të jashtëm, e për të vazhduar më pas me vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore