Lajme

“Grenell po gënjen”, Vela i replikon Grenellit pasi tha se Osmani s’pajtohet me Kurtin për refuzimin e projekteve amerikane


Blerim Vela, Shef i Kabinetit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani

Blerim Vela, Shef i Kabinetit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, a ka quajtur gënjeshtar ish-emisarin i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, pasi ky i fundit tha se Osmani ia ka bërë të qartë Shteteve të Bashkuara të Amerikës se ajo nuk është dakord me refuzimet që i pari i ekzekutivit ia ka bërë disa prej projekteve amerikane.

“Si Shef i Kabinetit të Presidentes Vjosa Osmani, dua t’iu informoj se Richard Grenell po gënjen kur i referohet deklaratës së Presidentes së Republikës së Kosovës”, ka shkruar Vela në Twitter.

Ndërkaq Grenell është përgjigjur duke thënë “pra Vjosa Osmani tani mbështet refuzimin e Marrëveshjeve Ekonomike dhe ofertën e një gazsjellësi për energji të pastër”.

Grenell, një ditë pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, në Twitter ka shkruar se rezultatet preliminare të balotazhit kanë dhënë një leksion për Kryeministrinë e Kosovës, Albin Kurti, pasi ky i fundit refuzoi projektet amerikane.

Ndryshe nga Grenell, kryeqeveritari Kurti, e ka arsyetuar rezultatin e dobët në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale me pretekstin se të gjithë partitë e tjera janë bashkuar kundër partisë së tij.

“Rezultati jo i kënaqshëm për neve vjen si rezultat i disa defekteve të brendshme të cilët duhet ti analizojmë më gjatë në vijim, si dhe bashkimit të të gjithë të tjerëve kundër nesh”, ka thënë Kurti, gjatë konferencës së përbashkët me Kryeministrinë e Kroacisë, Andrej Plenkoviç.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore