Kosova

Agresioni diplomatik i Serbisë ndaj Kosovës – Kritikohet MPJ për mungesë lobimi


Flamuri i Kosovës

Pavarësisht insistimit të vazhdueshëm nga shtetet e bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për normalizim mes raporteve Kosovë-Serbi, agresiviteti i diplomacisë serbe ndaj Kosovës vazhdon të jetë i hapur.

Ministri i Jashtëm serbe, Selakoviç ka thënë se një numri madh shtetesh janë të gatshëm ta tërheqin njohjen e Kosovës.

“Një duzinë vendesh janë gati ta tërheqin njohjen e Kosovës”, ka thënë Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Nikolla Selakoviç në një intervistë në “Vecerni Novosti”.

“Për ne, viti në të cilin Serbia, si një vend i vogël, por krenar, e vendosur të ruante me xhelozi pavarësinë e saj politike dhe neutralitetin ushtarak, u detyrua të luftonte për interesat e saj në një mjedis politik kompleks dhe të ngarkuar me probleme”, tha Selakoviç.

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Nikolla Selakoviç

E kjo luftë diplomatike e Serbisë sipas ish-ambasadorit të Kosovës në Uashington, Avni Spahiu, nuk e rrezikon vetëm Kosovën por gjithë rajonin.

“Agresiviteti i Serbisë rrezikon paqen në Ballkan. Serbia është në një fushat dhe luftë diplomatike natë e ditë ndaj Kosovës dhe kjo është në vazhdën e provokimeve që bënë Serbia tash e ca kohë”, tha Spahiu

“Ka kohë që Ministria e Jashtme nuk është aktive në punën e saj për të siguruar njohje dhe për të konsoliduar marrëdhëniet me shtetet që na kanë njohur”.

Ish-ambasadori i Kosovës në Uashington, Avni Spahiu

 

Ndërsa Emir Abrashi nga Demokracia Plus thotë se Serbia asnjëherë nuk e ka pezulluar fushatën kundër shtetit të Kosovës.

“Vërehet qartë se Serbia edhe gjatë moratoriumit ka lobuar kundër shtetit të Kosovës megjithatë duket se këtë e ka bërë në mënyrë shumë të mençur, pra duke i mbajtur këto shtete te gatshme për ta tërhequr njohjen e Kosovës por që nuk e kanë realizuar qëllimin deri në fund”, theksoi Abrashi.

“Deri më tani kemi një diplomaci akoma të pakonsokiduar që nga ardhja e pushtetit të ri. Me këtë rast nuk kemi arritur të bëjmë lobim efektiv për njohje të reja e as anëtarësim në ndonjë organizatë të re”, për RTV Dukagjinin.

“Në shtator Kosovën do ta çnjohin mbi 10 shtete”

Në muajin gusht të këtij viti, mediet serbe kishin raportuar se në shtator mbi dhjetë shtete do të çnjohin Kosovën.

Beogradi kishte marrë garanci të forta se vendet të cilat deri më tani nuk e kanë njohur Kosovën do të vazhdojnë të mos e njohin dhe gjithashtu, siç shkruante Novosti, gazeta serbe e afërt me qeverinë, po sa të përfundojë memorandumi për mos-lobim nga Kosova dhe Serbia, i arritur në Uashington me 4 shtator të vitit të kaluar, “Kosovën do ta çnjohin mbi 10 shtete”.

“Lista e vendeve të gatshme për të tërhequr mbështetjen për Kosovën, nëse Serbia u kërkon atyre ta bëjnë këtë, ka tejkaluar numrin dhjetë”, shkruan mediumi serb, bazuar në burimet e afërta me qeverinë.

Sipas artikullit, Serbia e ka respektuar memorandumin e Uashingtonit për të mos bërë lobim për tërheqje të njohjeve të Kosovës, porse me të përfunduar ai do të vazhdojnë fushatën diplomatike.

Pa dhënë ndonjë referencë konkrete dhe emrat të shteteve, gazeta shkruan se Kosova nuk e ka respektuar fare marrëveshjen për mos-lobim, “sepse në prapaskenë ata po kryejnë aksione diplomatik prej javësh me qëllim njohjen, por edhe për t’u bërë anëtar i disa organizatave ndërkombëtare”.

Por, “as Beogradi nuk qëndron duarkryq, dhe me ndihmën e aleatëve, Rusisë dhe Kinës, është gati të përgjigjet në mënyrë adekuate”.

Novosti, prapë duke u mbështetur në burime, shkruan se Kosova “kohët e fundit i kishte kërkuar Gjeorgjisë, Ukrainës, Azerbajxhanit dhe disa vende të tjera që të njihnin pavarësinë e Kosovës, megjithatë, atje ata kryesisht trokasin në dyer të mbyllura, si në rastin e Bakut, zyrtarët e të cilit, kohët e fundit i dhanë garanci të forta ministrit të jashtëm serb Nikola Selakoviç se ata do të vazhdojnë të mbështesin Serbinë kur bëhet fjalë për Kosovën”.

“Selakoviç mori të njëjtin konfirmim nga autoritetet e Kenisë, Zimbabve dhe Zambisë, ndjekur nga vizita në Angola dhe Namibi, të cilat gjithashtu nuk e njohin Kosovën”.

Në anën tjetër Qeveria e Kosovës nuk është se ka bërë të ditur përafrim me ndonjë shtet të ri jo njohës, përveç raportimeve të fundit se Greqia është afër që të futet në marrëdhënie bilaterale me Kosovën.

Madje, edhe vizita e fundit e kryeministrit Albin Kurti në Athinë u tha se u bë kryesisht për këtë arsye – diskutimin e një njohje të re.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore