Lajme

Hoxhaj takohet me Lajçak – i thotë të kërkojë falje


Enver Hoxhaj, nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, në takim me të dërguarin special të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka kërkuar nga ky i fundit që të kërkojë falje për hartën e vendosur në zyrën e tij ku nuk figuronte kufiri ndarës mes Kosovë e Serbisë.

“Ndërmjetësuesi i dialogut nuk duhet të ketë qëndrim të njëanshëm në këtë proces dhe ai duhet ta njoh realitetin e Kosovës së pavarur”, ka thënë Hoxhaj.

Tutje, gjatë këtij takimi, kreu i PDK-së e ka njoftuar Lajçak për qëndrimin e partisë së tij që çfarëdo marrëveshje e mundshme midis Kosovës dhe Serbisë ka thënë se duhet të jetë “ në përputhje me Kushtetutën e vendit, të mos e cenojë tërësinë territoriale, integritetin dhe sovranitetin e Kosovës”.

Sipas Hoxhajt, rajoni mund ta tejkalojë këtë sfidë historike vetëm kur të dyja vendet e njohin njëra-tjetrën dhe Kosova siguron ulëse në OKB.

Ndërsa i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun i ka njoftuar krerët e PDK-së me planin e tij për rifillimin e shpejt të dialogut pas formimit të institucioneve të reja në Kosovë.

Në këtë takim Hoxhaj ishte i shoqëruar edhe nga sekretari i përgjithshëm, Uran Ismaili, nënkryetari Memli Krasniqi dhe anëtarja e kryesisë, Blerta Deliu.

Lajçak paraprakisht është takuar edhe me kryeministrin në detyrë Avdullah Hotin dhe ushtruesen e detyrës së presidentës, Vjosa Osmani, në takime të ndara.

Vizitën e tij tri ditore në Kosovë, emisari për dialog e mbyllë të mërkurën në 12:00, në një konferencë para gazetarëve.

Lajçak pas Kosovës viziton Serbinë. Atje do të qëndrojë me tre dhe katër mars.

Sllovaku gjithashtu do të vizitojë Malin e Zi si pjesë e mandatit të tij rajonal nga katër deri më pesë mars.

Lajçak planifikon të takohet me udhëheqjen politike të tre partnerëve të Ballkanit Perëndimor, si dhe me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në terren.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore