Lajme

Hoxhaj paralajmëron: Konflikti në Ukrainë mund të përfundojë në Ballkan – Qeveria jonë e verbër


Enver Hoxhaj, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së

“Rreziku që lufta mund të shpërthejë çdo ditë në mes Evropës është e njohur për të gjithë, vetëm Kosova nuk e njeh dhe sheh këtë!”, ka nisur shkrimin e tij ish Ministri i Punëve të jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Sipas tij, është e rrezikshme kjo heshtje dhe paralizë e Kosovës karshi krizave të mëdha ndërkombëtare “qoftë edhe për të bërë një deklaratë dhe për të dënuar kërcënimin e tmerrshëm rus në Ukrainë”, është shprehur Hoxhaj i cili aktualisht ka rolin e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

“A do të thotë që duam të mbajmë qëndrim asnjanës ndaj krizës në Ukrainë?”

Ish kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, është shprehur se askush nuk pret nga Kosova armatim, por më e pakta që mund të bëjnë është që së paku të lëshojnë deklarata publike me qëndrimet e shtetit.

“Apo thjeshtë kjo heshtje e Kosovës ka të bëjë me mungesë të qëndrimit të qartë kundër agresionit rus, me neutralitetin tonë në politikën e jashtme? Apo po pret Kosova që dikush t’ia kërkojë deklarimin?”, ka vazhduar më tej Hoxhaj.

Hoxhaj ka kujtuar një vendim të rëndësishëm të qeverisë së Kosovës, në periudhën kur edhe ai ishte pjesë e saj, karshi Rusisë.

“Jam shumë krenar që me vendosmërinë time Qeveria e Kosovës vendosi sanksione kundër Rusisë, kur Rusia e aneksoi Krimenë më 2014. Këtë, nuk ma kërkoi askush, as këndej e as përtej detit! Mirëpo, qëllimi ishte i qartë, që ne si shtet i vogël të ofrojmë mbështetje publike dhe të rreshtohemi karshi botës demokratike!”.

“Çfarë synon Putini sot është njëjtë se çfarë synonte Hitleri më 1939 në Evropë dhe Millosheviçi më 1989 në Ballkan! Demokracitë – edhe të vogla, nuk guxojnë kurrë të dorëzohen para regjimeve autoritare dhe synimeve pushtuese!”, ka shkruar Hoxhaj në llogarinë e tij në Facebook.

“Nuk po i vringëlloj shpatat kundër Rusisë! Por, është me rëndësi për Kosovën – e pushtuar dhunshëm nga Serbia deri më 1999, e kërcënuar çdo ditë nga ajo pas 2008-s, e bllokuar që 15 vite ndërkombëtarisht nga Rusia – të solidarizohet me tragjedinë e Ukrainës!”, ka specifikuar Hoxhaj.

“Nuk ka nevojë për dije gjeopolitike sepse çdokush mund ta imagjinojë dramën atje! Por, kur je në pozitë të vendimmarrjes ajo që të trazon para se ta bësh një deklaratë publike është se a duhet t’i ndjekësh vetëm interesat e vendit tënd apo edhe parimet morale për kauza të tjera në botë!”.

Hoxhaj është shprehur i bindur që në Ukrainë interesat dhe parimet e çdo demokracie po kërcënohen, “sepse atje po kërcënohet paqja dhe siguria në mes të Evropës!”.

“Çka fillon keq, fillon në Evropën Lindore dhe përfundon keq në Ballkan!”, ka përfunduar Hoxhaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore