Hoxha: Zërat e 20 mijë grave dhe vajzave të dhunuara gjatë konfliktit në Kosovë duhet të dëgjohen
Ambasadori i përhershëm i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Ferit Hoxha theksoi se zërat e 20 mijë grave dhe vajzave të dhunuara gjatë konfliktit në Kosovë duhet të dëgjohen.
Kjo deklaratë erdhi gjatë fjalës së diplomatit shqiptar në debatin e hapur të Këshillit të Sigurimit për dhunën seksuale gjatë konflikteve, shkruan Albanian Post.
Hoxha sqaroi fillimisht se vjen nga një rajon i cili në një të kaluar jo shumë të largët, ka qenë stadi i konflikteve të mëdha dhe vuajtjeve njerëzore.
“Ne kemi qenë dëshmitarë se si dhuna seksuale është përdorur si taktikë lufte kundër civilëve”, vërejti ambasadori shqiptar.
Duke folur më tej, Hoxha ravijëzoi se dhuna seksuale ishte një armë e neveritshme e luftës, një instrument për të poshtëruar, e përdorur gjerësisht në konfliktin në Kosovë në vitet 1998-1999.
Sipas tij, ky krim i tmerrshëm ka lënë një gjurmë të thellë tek të mbijetuarit dhe shoqëria.
Madje, ambasadori shqiptar nuk la pa përmendur faktin që krimet seksuale të lidhura me konfliktin e kryera në Kosovë, “për fat të keq nuk janë përfshirë kurrë në raportin e SG-së (Sekretarit të Përgjithshëm)”.
Në vijim të fjalës së tij, Hoxha lavdëroi “UN Women” për punën në ndihmën dhe trajnimin e autoriteteve të Kosovës për të hetuar, ndjekur penalisht dhe gjykuar rastet e lidhura me dhunën seksuale gjatë konfliktit.
“Zërat e më shumë se 20 mijë grave dhe vajzave të dhunuara gjatë konfliktit në Kosovë duhet të dëgjohen. Zërat e të gjithë të mbijetuarve të dhunës seksuale në mbarë botën duhet të dëgjohen”, deklaroi në përmbyllje diplomati.
Në fund të fjalës së tij, Hoxha bëri thirrje që asnjë autor nuk duhet të mbetet i pandëshkuar, përcjell Albanian Post.
“As në Ukrainë, as në Yemen, as në Afganistan, as në Siri, as në Kosovë, askund”, shtoi ambasadori shqiptar.
Shqipëria për Kosovën
Hoxha do të sillte në vëmendjen e punimeve të Këshillit të Sigurimit pranë OKB-së gjatë muajit mars sërish “spastrimin masiv etnik të Kosovës”.
“Mizoria shkakton dëme dhe dhimbje të patreguara, por ajo kurrë nuk mbizotëron. Kjo nuk ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore; nuk ndodhi gjatë 3 viteve të gjata të rrethimit të Sarajevës dhe gjatë gjenocidit në Srebrenicë, nuk ndodhi as gjatë masakrave të tmerrshme dhe spastrimit masiv etnik në Kosovë”, theksonte ambasadori shqiptar.
Diplomati do të vijonte “premtimin” e dhënë nga ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, e cila e konsideroi më herët Kosovën si “një kauzë të shenjtë”.
“Tiranës zyrtare do t’i jepet mundësia të lobojë më shumë për njohjen e Prishtinës ndërkombëtarisht”, ishte premtimi i saj.
Në deklaratën e parë si përfaqësuese e Shqipërisë në KS më 18 janar, Xhaçka kujtoi dhimbjet dhe vuajtjet e grave në Kosovë gjatë luftës.
“E them si një mësim që ne shqiptarët e kemi nxjerrë nga historia jonë. E pamë këtë në Kosovë. Gratë u lanë pas për t’u kujdesur për familjet e tyre, gratë u lanë pas për të mbledhur pjesët e mbetura”, ravijëzonte kryediplomatja shqiptare.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
“Afera e ambalazhuesve”, Selmanaj: Prokuroria urgjentisht të fillojë çmontimin e kësaj skeme korruptive dhe kriminale
-
Raketat Atacms kanë mbërritur tanimë në Kiev, në fshehtësi
-
Evis Berberi dhe ortakët mbeten në burg, do të hetohen të arrestuar
-
U vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj tre terroristëve për sulmin në Banjë
Lajmet kryesore
-
Rama ‘letër publike’ Ranuccit: Hodhët një tjetër hap fals, fatkeqësi që bëni krahasime me Kremlinin
-
Osmani pas fitores: Vetëm fillimi i një kapitulli të ri për një të ardhme të ndritur
-
Miliarderët e botës duhet të paguajnë minimalisht 2% taksë mbi pasurinë, thonë ministrat e G20
-
O’Brien i kërkoi “përparim urgjent” për Asociacionin, Kurti s’e përmend askund