Shqipëria

Hoxha për AP: Forcimi i raporteve me Kosovën është kolona vertebrale e diplomacisë shqiptare


Diplomacia shqiptare ka arritur në një pikë historike me mandatin e fituar dy-vjeçar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, gjatë të cilit në dy muaj do të marrë edhe presidencën e organit të lartë diplomatik botëror.

Gjithsesi, kjo arritje e madhe në rrafshin e politikës ndërkombëtare nuk ia heq sytë Shqipërisë edhe nga rajoni, si themel i çdo politike që shteti ndjek.

Pikërisht në këtë aspekt, forcimi i gjithanshëm i raporteve me Kosovën, është edhe kolona vertebrale e angazhimit të diplomacisë shqiptare.

Kështu ka folur në një intervistë ekskluzive për Albanian Post ambasadori i përhershëm i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Ferit Hoxha, i cili momentalisht mban edhe postin e Presidentit të Këshillit të Sigurimit, duke qenë se presidenca e qershorit i takon Shqipërisë.

Kosova është edhe një ndër çështjet më primare të Tiranës zyrtare në KS dhe këtë jo vetëm Hoxha, por edhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, apo vetë kryeministri Edi Rama, e kanë deklaruar më parë diçka të tillë.

Ndaj natyrshëm, në agjendën që Shqipëria vendos, do të jenë çështjet evropiane të sigurisë e kryesisht të rajonit, duke përfshirë Kosovën, Bosnjë dhe Hercegovinën dhe pa diskutim Ukrainën.

“Nuk ka ndonjë sekret: vendi ynë ndjek një politikë të jashtme të parashikueshme, koherente dhe të qartë, dhe aspekti rajonal i saj ka, në thelb, vizionin e një bashkëpunimi të njëmendtë, të hapur, pa kufizime, pa kufij apo barriera artificiale e të panevojshme mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor”, deklaroi Hoxha për Albanian Post kur i pyet mbi faktorin shqiptar në rajon.

Sipas tij, kjo gjë shërben për të gjeneruar energji pozitive dhe për të ndërtuar një bashkëpunim përmbajtësor, në një hapësirë të lirë e të sigurt, që u shërben individëve dhe lëvizshmërisë, botës së biznesit, që favorizon dhe rrit tregtinë dhe investimet.

“Me një fjalë, është në interes të shoqërive në tërësi dhe ka vetëm një agjendë: konsolidimin e paqes, bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë në funksion të integrimit euro-atlantik të vendeve dhe gjithë rajonit”, vijon më tej ai.

Theksin kryesor, e vendos tek Kosova, si shtyllë kurrizore e angazhimit shqiptar në aspektin diplomatik rajonal e më gjerë. Kjo gjithsesi, pa anashkaluar edhe raportet me vendet e tjera.

Mbi këtë, dialogu Kosovë-Serbi sipas tij për normalizimin e marrëdhënieve, është thelbësor.

Megjithatë, ka një aspekt shumë interes në shembullin që ambasadori ka dhënë për Albanian Post, mbi sa më stabël Kosova është sot krahasuar me më parë.

“Më lejoni ta ilustroj me një shembull konkret nga Këshilli”, parashtron ai. “Nëse më përpara Kosova diskutohej katër herë në vit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, tani kemi vetëm dy takime në vit. Ky pakësim ka ardhur si rezultat i zhvillimit të gjithanshëm të Kosovës, çka tregon se nuk përbën më shqetësim në nivelin ndërkombëtar”.

Ndaj, sipas tij dhe përvojës së gjatë në OKB, Kosova nuk është më çështje e paqes dhe sigurisë dhe situata atje s’ka më asnjë lidhje me kapitullin VII të Kartës së OKB-së.

E vetmja gjë për të cilën Kosova ka nevojë, është zhvillimi i mëtejshëm i demokracisë dhe shoqërisë së hapur, si edhe forcimi i institucioneve dhe afirmimi i vetvetes në arenën ndërkombëtare.

Ndërsa, sfida për të gjithë skeptikët, ka mbetur e hapur nga ana e diplomatit.

“Unë e kam thënë në Këshillin e Sigurimit dhe jam gati ta përsëris: Sfidoj këdo, në Këshill apo jashtë tij, në rajon apo më gjerë, që do të gjejë qoftë edhe një fakt të vetëm se rajoni ynë është sot më keq me Kosovën e pavarur sesa para saj. Jam ende duke pritur, por jam i sigurt së Engjëlli Gabriel nuk do të vijë ndonjëherë me një përgjigje për këtë gjë”, përmbylli Hoxha përsiatjen e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore