Kosova

Hovenier: Sovraniteti dhe integriteti i Kosovës, të padiskutueshme


Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeff Hovenier

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Jeff Hovenier ka thënë se sovraniteti dhe integriteti i Kosovës nuk janë të diskutueshme.

Sipas tij, asnjëra e as tjetra nuk do të diskutohen në dialogun me Serbinë.

“Kosova është shtet i pavarur. Disa njerëz mund të zgjedhin ta kundërshtojnë këtë, por kështu është”.

“Dhe njerëzit mund të debatojnë sa të duan, por realiteti dhe faktet në terren flasin vetë”, ka deklaruar Hovenier për RTK.

Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeff Hovenier

Ndërsa ai ka folur edhe për çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, ku ka thënë se ajo është çështje për Qeverinë e Kosovës.

“Do të thosha se madje edhe atëherë, në kohën e Ahtisaarit, askush nuk kishte në mendje diçka që do të kishte një shtresë tjetër të qeverisë, diçka me funksione ekzekutive.”

“Jam i vetëdijshëm për shqetësimet për një Republika Srpska tjetër. Askush nuk është i interesuar për këtë. Kjo nuk i ndihmon Kosovës. Nuk është e dobishme. Por, ka disa përfitime sa i përket koordinimit”, ka deklaruar ambasadori amerikan Hovenier.

“Muajin e ardhshëm, Kosova feston 14-vjetorin e pavarësisë dhe unë mendoj se ajo që populli i Kosovës ka arritur në këta 14 vjet është e jashtëzakonshme”, ka thënë Hovenier.

Sipas tij gjatë këtyre vite kanë ndodhur gjëra të mrekullueshme.

“Shikoni se çka është e mundur tani, e shikoni sistemin e sundimit të ligjit, sistemin e zbatimit të ligjit apo Forcat e Sigurisë[FSK] apo organizatat e shoqërisë civile dhe krejt çka kanë arritur. Mendoj se është mrekulli”.

“Por, ende ka punë që kjo mrekulli të ecë përpara. Ka ende punë për ta parë këtë vend gjithnjë e më shumë duke e zënë vendin e saj të merituar si vend sovran dhe i pavarur që ofron shërbime për të gjithë qytetarët e saj”, ka deklaruar Hovenier gjatë intervistës në RTK.

Ambasadori Hovenier ka folur gjithashtu edhe për sanksionet ndaj atyre që bëjnë krim transnacional, por se ai ka shtuar se nuk i sanksionojmë njerëzit për shkak të pikëpamjeve politike.

“Nuk i sanksionojmë njerëzit për shkak të veprimtarisë politike. I sanksionojmë njerëzit nëse kryejnë vepra, të cilat janë të specifikuara me rregullore ose ligj, që lejojnë vënien e sanksioneve, pra, nëse po destabilizon një sistem politik, nëse je i përfshirë në krim të organizuar transnacional”.

Ai tutje ka shtuar se “Siç e kemi thënë, kushdo që është i përfshirë në krim të organizuar transnacional do të duhej të shqetësohej që do të përballet me sanksione specifike. Gjithashtu, duhet të shqetësohet kushdo që sfidon një rend kushtetues të një vendi që e kemi njohur dhe me të cilin punojmë. Por, njerëzit që i shprehin pikëpamjet politike nuk duhet të shqetësohen”, ka thënë tutje Hovenier.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore