Lajme

Hovenier: Progresi në dialog mënyra e vetme që Kosova të marrë vendin e saj të merituar


Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier.

Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier ka deklaruar se progresi në dialog i lehtësuar nga Bashkimi Evropian është mënyra e vetme që Kosova ta marrë vendin e saj të merituar.

“Progresi në dialogun e lehtësuar nga BE-ja mbetet mënyra më e mirë për t’u siguruar që udhëheqësit e Kosovës të mund t’i mbajnë premtimet për qytetarët dhe që Kosova të njihet e ta marrë vendin e saj të merituar si udhëheqëse botërore”, ka shkruar Hovenier në Twitter.

Ndërsa shtoi se, “unë dhe ekipi im mezi presim që ta mirëpresim Përfaqësuesin Special, Escobar në Kosovë javën e ardhshme”.

Ndryshe, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka bërë të ditur se i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do ta vizitojë Kosovën javën e ardhshme së bashku me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Vizita e diplomatit amerikan dhe atij evropian do të fokusohet në bisedimet me liderët politik kosovarë në atë mënyrë që të vazhdojë dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Përfaqësuesi special amerikan për Ballkanin Perëndimor, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar

Kryediplomati evropian, Borrell i cili ishte në vizitë zyrtare në Serbi të martën e 25 janarit gjatë një konference për media së bashku me Kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiç, ka bërë të ditur se ai së bashku me Lajçak po vazhdojnë të punojnë për ta përgatitur një raund të ri të dialogut në Bruksel.

“Lajçak dhe unë do të vazhdojmë të punojmë me të dy palët, e veçanërisht me Kosovën, e cila aktualisht po tregon përmbajtje të konsiderueshme për t’u ulur në tryezën e bisedimeve”, ka thënë Borrell.

Ndryshe para një muaji, Albanian Post kishte raportuar për ardhjen e dyshes euro-amerikane në Prishtinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore