Lajme

Hovenier falënderon Dendias për vizitën në Kosovë


Jeffrey Hovenier dhe Nikos Dendias

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, të mërkurën e 8 qershorit ka takuar Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, i cili ishte në një vizitë zyrtare në Kosovë.

Hovenier ka falënderuar Dendias në greqisht për vizitën në Kosovë, teksa ka vlerësuar se Amerika dhe Greqia mbesin partnerë të ngushtë të Ballkanit Perëndimorë.

Në anën tjetër kryediplomati grek, i cili përmes një statusi në rrjetin e tij social në Twitter ka njoftuar takimin me ambasadorët e shteteve të QUINT-it, ka theksuar se në takim kanë diskutuar për një sërë temash përfshirë edhe dialogun Kosovë-Serbi.

“U takova me shefat e misioneve dhe zyrave ndërkombëtare dhe rajonale në Prishtinë si dhe ambasadorët e QUINT-it, në fokus ishin temat e situatës gjeopolitike në rajon, dialogu Kosovë-Serbi dhe perspektiva e Ballkanit Perëndimor në BE”, ka shkruar Dendias në Twitter.

Dendias gjatë qëndrimit në Kosovë është takuar edhe me Kryeministrin e vendit, Albin Kurti, ku ky i fundit përmes një statusi në Twitter ka bërë të ditur se raportet e Kosovës me Greqinë po afrohen çdo ditë e më shumë.

“Është dëshmi e marrëdhënieve tona të mira dypalëshe, por edhe një njohje e vlerave tona të përbashkëta të lirisë dhe demokracisë”, ka shkruar Kurti pas darkës që ka pasur me kryediplomatin grek.

Nikos Dendias dhe Albin Kurti

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore