Kosova

Hovenier: Bëhuni konstruktivë në Ohër, ne iu ndihmojmë për NATO


Jeffrey Hovenier

Nëse Kosova kontribuon në mënyrë konstruktive në zbatimin e suksesshëm dhe efektiv të planit të Marrëveshjes së dakordësuar në Bruksel më 27 shkurt, atëherë Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i ripërtërijnë përpjekjet për ta ndihmuar vendin që t’i bashkohet Partneritetit të NATO-s për Paqe.

Kështu të paktën ka bërë të ditur Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në një takim me gazetarët të mërkurën në Prishtinë.

Diplomati amerikan, tutje është shprehur se plani franko-gjerman i mëshiruar tashmë në një Marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi sjell përfitime reale, praktike, politike dhe ekonomike.

Ai kujtoi se palët e kanë pranuar atë dhe tha se për zbatimin e tij do të diskutohet në fundjavë.

“Më duhet të jem i qartë, SHBA-ja vlerëson se, në këtë moment, nuk ka marrëveshje më të mirë në dispozicion. Ky është një hap i rëndësishëm përpara”, tha Hovenier në një takim me gazetarët, të mërkurën në Prishtinë.

Diplomati amerikan tha se fokusi kryesor tani duhet të jetë te “zbatimi i suksesshëm dhe efektiv” i planit.

I pyetur nëse ka ndonjë ndryshim në pozicionin e SHBA-së për sa i përket marrëveshjes së detyrueshme midis Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër dhe marrëveshjes së përkohshme me njohje eventuale, Hovenier tha se nuk beson se ka ndonjë ndryshim, porse “njohje të realitetit”.

“Pozicioni i SHBA-së ka qenë dhe do të jetë i qartë. Por, duhet ta kemi parasysh momentin në të cilin jemi. Mendoj se realiteti për arsye të ndryshme, por kryesisht për shkak të vendimit të marrë nga udhëheqja në Serbi është se gjasat për arritjen e njohjes reciproke tani, nuk janë shumë të mëdha”, tha Hovenier.

Ai shtoi se tani është e rëndësishme të ketë një ripozicionim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, që do t’i kontribuonte stabilitetit rajonal dhe do t’i mundësonte, sipas tij, Kosovës që të ecë përpara në shumë mënyra.

“Ne presim marrëveshje përfundimtare që përqendrohet në njohje reciproke”, tha Hovenier, duke kujtuar se plani i BE-së është i përkoshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore