Lajme

Hoti: Serbia ka shtuar paragrafë në dokumentin për të pagjeturit, nuk do t’i pranojmë


Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, ka deklaruar se Serbia ka shtuar disa paragrafë në dokumentin për të pagjeturit, i cili synohet të nënshkruhet nga palët në kuadër të dialogut të Brukselit.

Për Hotin, ky draft është i papranueshëm për disa arsye.

“Drafti i dhjetorit që unë e kam parë, janë shtuar një apo dy paragrafë të tjerë nga Serbia, vetëm me prolongu këtë proces, që ka qenë shumë afër nënshkrimit, edhe pse e kanë lënë tash këtë problemin madhor që e kanë pasur ‘persona të zhdukur me forcë’, ai është aty tashmë ekziston aty”.

Këto kërkesa ai i ka quajtur “të panevojshme” dhe “të paarsyeshme”.

“Nuk merren me të por i kanë shtuar disa kërkesa të reja të panevojshme, të paarsyeshme, të pakuptueshme për një deklaratë të tillë dhe unë natyrisht nuk i pranoj të tilla dhe besoj që nëse largohen ato uroj të nënshkruhet, nuk e di nëse do të nënshkruhet”, ka thënë Hoti për agjencinë e lajmeve KosovaPress.

Ai bëri të ditur se Kosova ka gatishmëri të nënshkruajë dokumentin, por pa kërkesat e reja të Serbisë.

Ndërsa, sqaroi se kanë hartuar opinionin i cili pritet të shqyrtohet mes palëve.

“Unë në diskutim me Bislimin, e kemi hartuar opinionin tonë që kërkesat e reja që kanë dalë pas asaj, janë komplet të panevojshme dhe besoj që ato do të shqyrtohen nga Lajçak ose në takimin e radhës kur do ta kenë, dhe nëse do të ketë tash në janar një takim në mes të kryeministrit Kurti dhe Vuçiqit, nëse do të nënshkruhet pa to, do të nënshkruhet, me to nuk besoj që do të nënshkruhet”, shton ai.

Numri i personave të pagjetur.

Hoti, u shpreh se gjatë gjithë kohës kanë bërë përpjekje për të zbuluar lokacione të reja, por që pa arkivat shtetërore përfundimi i këtij procesi do të jetë i vështirë.

“Edhe në vitin 2022, edhe në vitin 2021 ne kemi pasur disa dëshmitarë që na kanë treguar për lokacione të ndryshme, ata kanë filluar edhe të largohen, për shkak të frikësimeve të ndryshme që po hasin prej Serbisë, po do të jetë goxha më sfiduese por çka mundet me lehtësu procesin dhe ne çka aludojmë që do lehtësojë në masë të madhe, nuk do ta përfundojë çështjen e personave të zhdukur, do ta lehtësojë zbardhjen e fatit të personave të zhdukur”.

“Janë pikërisht dokumentet që i kam përmend më herët, arkivat në Beograd, arkivat shtetërore të ushtrisë dhe policisë serbe, ato që janë të klasifikuara dhe që ne nuk po arrijmë me i marr ende, Serbia nuk po i jep”.

Për zhvillimet në Veri, ai ka deklaruar se do të kenë ndikim edhe në procesin e nënshkrimit të dokumentit për personat e pagjetur.

“Ne edhe pas 23 vitesh po vazhdojmë të kërkojmë eshtra, apo njerëzit në çfarëdo lloj forme, të zhdukur pikërisht nga këto forca, pas 23 vitesh, presidenti i Serbisë del dhe kërcënon prapë me futjen e ushtrisë serbe në Kosovë, me një formë thotë kemi me iu vra, ne vazhdojmë me i kërku eshtrat para 23 vitesh, ai kërcënon me na vra prapë, natyrisht që ndikon, natyrisht që humb besueshmëria, kjo është indirekt”.

“Por edhe direkt ndikon sepse ne gjatë muajit dhjetor takimet e parapara që i kemi pasur me palën serbe nuk kemi mundur me i mbajt, mes grupeve punues”, ka deklaruar Hoti.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, rreth 6 mijë e 500 persona kanë qenë të zhdukur.

Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.

Sipas autoriteteve në Kosovë, të pagjetur vazhdojnë të jenë edhe rreth 1 mijë e 630 persona, kryesisht shqiptarë.

Në luftën e fundit në Kosovë sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona. Shumica prej të vrarëve janë civilë shqiptarë.

Nga viti 2000 e deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara (UNMIK), ndërsa që nga viti 2008 Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) është përgjegjës për hetimin e krimeve të luftës.

Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar dokumentet në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore