Lajme

Hoti, Qeverisë: Vendimet po i marrim vetë si shtet sovran që jemi, por njohjet nuk po vijnë


Ish kryeministri i Kosovës dhe deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti

Ish kryeministri i Kosovës dhe deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, sërish ka drejtuar kritika ndaj Qeverisë së Kosovës për mosbashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Hoti përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka pyetur se “se si erdhi puna që të gëzohemi vetëm se nuk ka çnjohje të Kosovës?!”.

“Kur bashkëpunonim me partnerët na vinin njohjet direkt nga Shtëpia e Bardhë”.

Ai ka thënë se tash kur vendimet po i marrim vetë, njohjet nuk po vinë.

“Tani po iu tregojmë atyre se jemi sovran, dhe po e ushtrojmë sovranitetin edhe në veri. Vendimet po i marrim vetë si shtet sovran që jemi, por njohjet nuk po vijnë.  Çudi!”.

Ndryshe, Qiproja, Greqia, Spanja, Rumania dhe Sllovakia vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Kosovës.

Qeveria e Kosovës, vazhdimisht është kritikuar për ftohje të marrëdhenieve me SHBA-të, mirëpo të njëjtit gjithmonë kanë deklaruar se “marrëdhëniet e Kosovës me SHBA” vazhdojnë të jenë të mira.

Para dy muajsh, kryeministri Albin Kurti, në konferencë për media është pyetur për marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Sipas kryeministrit, mënyra se si është duke u raportuar që ka Kosova marrëdhëniet me SHBA-të është ofendim edhe për këtë shtet.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i kemi miq dhe partnerë, pra miqtë dhe partnerët nuk shkruajnë asi komunikatash çfarë i cituat ju, pra nuk ekziston raporti i tillë i ynë për besë kjo mënyrë është edhe ofendim për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Ai madje kishte sqaruar se raportet me SHBA-të nuk mund të jenë si me “nipin e gjyshin”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore