Kosova

Hoti, Qeverisë: Në vend se të promovoni rrugë të reja, i ktheheni propagandës e mashtrimit


Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mënyrën e udhëheqjes.

Ai përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, është shprehur se mungesa e investimeve po e kthen këtë qeveri drejt “propagandës së mashtrimit”.

“Pas një viti e gjysmë në qeverisje, në vend që partia në pushtet të promovoj rrugë të reja, shkolla e spitale të reja, njohje të reja për shtetin e Kosovës, stadiume sipas standardeve të FIFA-s, furnizim me ujë për fshatrat që ende nuk kanë ujë, investime në sisteme të ujitjes në bujqësi, ajo parti i kthehet propagandës së mashtrimit”.

“Shantazhit ndaj atyre që e kundërshtojnë dhe fajësimit të qeverive të mëparshme për mungesën e rezultateve të veta”, ka shkruar Hoti.

Edhe më 2 tetor, Hoti ka listuar katër veprime që sipas tij e zbusin krizën dhe i ndihmojnë qytetarëve të Kosovës për t’u përballur me inflacionin.

E para sipas tij, është indeksimi i pagave, subvencioneve në bujqësi, pensioneve dhe ndihmave sociale me normën e inflacionit, ndërsa e dyta rritja e pagës minimale në sektorin privat.

Të tretën Hoti e ka listuar uljen e TVSH nga 18 për qind në 8 për naftë dhe për disa produkte ushqimore që ende janë me 18 për qind TVSH.

E katërta sipas tij, është “pezullimi i përkohshëm i akcizës në naftë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore