Uncategorized

Hoti: Miratohet Programi për Rimëkëmbje Ekonomike, për vitin 2021.


Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, të shtunën, deklaroi se Qeveria e tij ka miratuar Programin për Rimëkëmbje Ekonomike, për vitin 2021.

Bëhet fjalë për një shumë, prej 222 milionë e 400 mijë euro.

Në postimin e tij, Hoti, shkruajti se në program janë të përfshira ndihmat në shëndetësi, polici dhe dyfishimi i asistencës sociale.

50 milionë euro do të shpërndahen për sektorin e shëndetësise; 40 milionë euro për blerjen e vaksinës anti-Covid; 10 milionë euro për blerjen e aparateve të tjera mjekësore.

Më shumë se 45 milionë euro janë ndarë për mbulimin e kostos së tarifës së Fondit Kosovar për Garanci Kreditore; 12 milionë euro për sektorin e Bujqësisë; 11 milionë euro shtesë në pagë, për sektorin që mbart barrën kryesore, në menaxhimin e pandemisë.

3 milionë euro janë ndarë për subvencionimin e sektorëve të prekur nga vendimet e qeverisë për ndalimin e aktiviteteve. Ku përfshihen gastronomia, lokalet e dasmave, sallat e sportit, qendrat rehabilituese dhe të ngjashme.

6.5 milionë euro përfitojnë të vetëpunësuarit. Kjo përfshin avokatët, rrobaqepësit, këpucëtarët, etj.

Rritja e pensioneve është parashikuar prej 30 eurosh për të gjithë ata pensionistë, që marrin më pak se 100 euro në muaj. Kjo rritje do të vlejë për tre muajt e ardhshëm. Kurse, vlera e skemave sociale është dyfishuar.

Hoti tha se tashmë ngarkohen ministritë përkatëse, që t’i përgatisin udhëzimet dhe kriteret e nevojshme për shpërndarjen e kësaj shume.

Qeveria “Hoti” do të vazhdojë të qëndrojë në detyrë, deri në zgjedhjet e 14 shkurtit. Gjykata Kushtetuese e rrezoi Qevrinë Hoti, më 21 dhjetor 2020. Pasi ishte zgjedhur në mënyrë jo legjitime. /AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore