Kosova

Hoti letër ndërkombëtarëve: Ndërmerrni masa ndaj qasjes serbe


Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, i ka kërkuar palës ndërkombëtare ndërmarrje masash në lidhje me deklaratat e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić.

Këtë kërkesë e ka realizuar përmes një letre të dërguar  ambasadorëve të vendeve anëtare të Kuintit (Amerikës, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe Italisë). Gjithashtu letra i është dërguar edhe ambasadorit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

Kërkesa e Hotit vjen pas deklaratave të Vučić-it i cili së fundmi paralajmëroi  rritjen e kapaciteteve ushtarake serbe, shkaku i problemeve që e rrethojnë vendin, përfshirë “problemeve në Kosovë”.

“Ju e dini se çfarë problemesh kemi në Kosovë dhe Metohi, ne gjithashtu kemi probleme të tjera rajonale, së bashku me problemet e llojit të tretë, të cilat kanë të bëjnë me mosmarrëveshjet gjeopolitike të fuqive të mëdha dhe ku ne shpesh jemi vendi rreth të cilit interesat e tyre përplasen”.

Pas kësaj deklarate Hoti kërkoi “ndërmarrjen e masave e nevojshme ndaj kësaj qasje të rrezikshme”, si dhe që ta bëjnë të qartë se “ndërhyrja në proceset politike në Kosovë nuk mund të kalojë pa pasoja, për ata që janë të përfshirë”.

Këto deklarata si dhe presioni e frikësimi i pakicave jo-serbe, kanë për qëllim të ndërhyjnë në zgjedhjet parlamentare të Kosovës dhe të prishin proceset demokratike në vendin tonë. Këto sjellje janë të pa pranueshme”.

Ai gjithashtu ka shprehur përkushtim institucional të Kosovës për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Kjo do të mundësohet me pjesëmarrjen e të gjithë qytetarëve me të drejtë vote.

Vučić, tha se duhet të ruhet forca e partisë serbe në Kosovë, Lista Serbe, e cila ka 10 vende në Kuvendin e Kosovës. Ai paralajmwroi një “ pranverë të vështirë” për Serbinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore