Lajme

Hoti kërkon nga qeveritarët të tregojnë çfarë ka ndodhur me marrëdhëniet Kosovë – SHBA


Avdullah Hoti.

Ish-kryeministri i Kosovës dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë duke thënë se kanë prishur raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Hoti përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka kërkuar nga krerët e Qeverisë që të sqarojnë raportet e Kosovës me SHBA-në.

“Qeveritarët duhet t’i tregojnë popullit ku e kanë katandisur punën që e ka shtyrë SHBA-në — aleatin kryesor Kosovës — të deklarojë se nuk është koha për njohje nga Serbia. Çfarë ka ndodhur në marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në që njohja reciproke nuk është më në qendër?”, ka shkruar ai.

Qeveria e Kosovës, vazhdimisht është kritikuar për ftohje të marrëdhenieve me SHBA-të, mirëpo të njëjtit gjithmonë kanë deklaruar se “marrëdhëniet e Kosovës me SHBA” vazhdojnë të jenë të mira.

Para dy muajsh, kryeministri Albin Kurti, në konferencë për media është pyetur për marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Sipas kryeministrit, mënyra se si është duke u raportuar që ka Kosova marrëdhëniet me SHBA-të është ofendim edhe për këtë shtet.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i kemi miq dhe partnerë, pra miqtë dhe partnerët nuk shkruajnë asi komunikatash çfarë i cituat ju, pra nuk ekziston raporti i tillë i ynë për besë kjo mënyrë është edhe ofendim për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Ai madje kishte sqaruar se raportet me SHBA-të nuk mund të jenë si me “nipin e gjyshin”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore