Lajme

Hoti i përgjigjet Kurtit: Nëse ke frikë nga Kushtetuesja, qëllimet qenkan politike jo fisnike


Avdullah Hoti

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, duke marrë shkas nga komentet e kryeministrit, Albin Kurti, se opozita po provon t’i paralizojë nismat e tyre ligjore, ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se nëse ligjet janë qëllim-mira dhe të duhurat, qeveria s’do të duhej të kishte shqetësim shqyrtimin e tyre nga Gjykata Kushtetuese.

Kurti gjatë mbledhjes së qeverisë ka akuzuar opozitën e Kosovës që po provon t’i paralizojë reformat e tyre, meqë ligjet që po miratohen nga qeveria, ato po i dërgojnë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Opozita, për arsye që i kanë bërë të ditura, ka dërguar në kushtetuese ligje si ai për çmimet tavan dhe për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Por, ish-kryeministri Hoti deklaron se “ligjet dërgohen në Kushtetuese kur ka dyshime se mund të cenohet rendi kushtetues” dhe jo për arsye të tjera.

Duke shkruar në Facebook, ai shton se “ai që ka frikë dhe që shpreh kundërshtim ndaj dërgimit të ligjeve në Kushtetuese ka qëllime politike jo fisnike, të cilat nuk janë në interes të qytetarëve por të tij personalisht”.

Prandaj, sipas tij, vjen edhe ky reagim i kryeministrit Kurti.

Opozita po provon të na paralizojë, thotë Kurti

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore