Lajme

Hoti: “Fokusi të mbahet te marrëveshja finale e jo të rrëshqitet në dialog teknik”


Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që në dialog me Serbinë fokusi “të mbahet te marrëveshja finale” për njohje reciproke e “jo të rrëshqitet në dialog teknik”.

“Vetëm pas dakordimit me partnerët për pozicionin dhe pritjet e Kosovës nga dialogu, e kemi nisur dialogun me objektivin e vetëm – arritje e marrëveshjes finale për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve. Fatkeqësisht, me veprimet e qeverisë aktuale, siç është takimi i sotëm në Bruksel, po kthehemi prapa në dialog teknik”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Hoti ka theksuar se në qeverinë sa ishte ai kryeministër, ka nisur dialogu për marrëveshje finale për njohje reciproke.

“Në qeverinë e kaluar ka nisur dialogu për marrëveshje finale për njohje reciproke, i bazuar në platformë të parimeve, objektivave dhe vijave të kuqe në dialog. Si e tillë, kjo platformë ka qenë kornizë veprimi brenda të cilës është dialoguar. Platforma është dorëzuar tek partnerët tanë ndërkombëtarë para se nisjes së dialogut”, shtoi ai.

Sipas tij, për çështjen e targave nuk ka se çfarë të dialogohet, pasi që siç thotë ai marrëveshja për targat ka skaduar më 15 shtator 2021.

“Një vit më parë, në shtator 2020, në zbatim të marrëveshjes së Brukselit, ish Ministri i Brendshëm Veliu e ka anuluar udhëzimin administrativ për të pamundësuar regjistrimin e automjeteve më tutje bazuar në marrëveshjen e vitit 2016, në mënyrë që përtej datës 15 shtator 2021 të mos ketë në qarkullim automjete të regjistruara sipas marrëveshjes së Brukselit”.

“Pra, vendimi i qeverisë aktuale për targat ka qenë rrjedhojë e vendimit të qeverisë paraprake dhe i bazuar në Marrëveshjen e Brukselit për lirinë e lëvizjes të datës 14 shtator 2016”.

Hoti potencoi se marrëdhëniet me Serbinë nuk normalizohen pa marrëveshje për njohje reciproke.

“Të gjithë duhet ta kemi të qartë se marrëdhëniet me Serbinë nuk normalizohet pa marrëveshje për njohje reciproke. Kur analizohet gjeneza e problemeve të përditshme që na shfaqen në relacion me Serbinë, shihet qartë se ato probleme janë derivat i mungesës së njohjes reciproke”, përfundoi Hoti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore