Kosova

Hoti: Dëmi nga bllokimi i projekteve kapitale shkon në 1 miliard euro


Avdullah Hoti

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për bllokim të projekteve kapitale në të gjithë Kosovën, duke thënë se dëmet për qytetarët dhe nga vonesa në projekte, prekin shifrën 1 miliard euro.

“Është e pakuptueshme bllokada e projekteve kapitale në gjithë Kosovën: autostrada për Gjilan, rruga për Podujevë, rruga për Mitrovicë, rruga për Gjakovë, rruga Xërxë-Rahovec e shumë projekte të tjera”, shkroi Hoti në llogarinë e tij në “Facebook”.

“Dëmet për qytetarë dhe për ekonominë nga vonesa në këto projekte të mëdha janë së paku tri herë më të mëdha se kostoja e këtyre projekteve, një shifër që shkon në 1 miliard euro”, shtoi ish-kryeministri i Kosovës.

Hoti, pas një vizite në Komunën e Gjakovës të dielën, ndër të tjera vlerësoi se Qeveria e Kosovës jo vetëm që nuk po i shpenzon mjetet e veta, por i ka bllokuar edhe shumë projekte të komunave duke mos ua bartur mjetet vetanake.

“Tanimë është e qartë se kjo qeveri nuk i ka prioritet këto projekte dhe nuk do t’i kryejë në mandatin e mbetur prej një viti e gjysmë. Kjo shihet edhe nga raporti i buxhetit për periudhën janar-mars 2023, ku pothuajse të gjitha projektet kapitale janë me shpenzime zero”.

Kosova vazhdon të ketë probleme të mëdha ekonomike. Opozita po e akuzon ekzekutivin për politika të gabuara ekonomike, derisa dhjetëra mijëra qytetarë, kryesisht të rinj të papunë e profesionistë të dëshpëruar, po ia kthejnë shpinën vendit të tyre për të nisur jetë të re në shtetet perëndimore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore