Lajme

Hong Kong: Jimmy Lai dënohet për pjesëmarrje në vigjiljen e Tiananmenit


Jimmy Lai u burgos në fillim të këtij viti për pjesëmarrje në protestat pro-demokracisë

Manjati mediatik i Hong Kongut, Jimmy Lai, Gwyneth Ho dhe Chow Hang Tung janë shpallur fajtorë për pjesëmarrje në një tubim të paligjshëm.

Ata ishin mes mijëra njerëzve që kundërshtuan një ndalim dhe morën pjesë në një vigjilje, qershorin e kaluar, në përkujtim të goditjes së vitit 1989, në sheshin Tiananmen të Pekinit.

Më shumë se dy duzina politikanë dhe aktivistë janë akuzuar për këtë.

Treshja ishin të fundit që morën vendimin, pasi zgjodhën të kundërshtonin akuzat e tyre. Gjatë gjyqit, ata argumentuan se kishin ndezur qirinj vetëm dhe se nuk kishin “nxitur” të tjerët që t’i bashkoheshin tubimit të paautorizuar.

Sidoqoftë, gjyqtarja Amanda Woodcock e Gjykatës së Qarkut, i hodhi poshtë argumentet “e pakuptimta” dhe tha se pjesëmarrja e tyre “ishte një akt kundërshtimi dhe proteste kundër policisë”.

Cilët janë tre aktivistët?

Lai është themeluesi i gazetës “Apple Daily”, tashmë të zhdukur në Hong Kong dhe ka qenë një nga mbështetësit më të shquar të lëvizjes pro-demokracisë së qytetit. Ai u burgos në fillim të këtij viti për pjesëmarrje në protestat pro-demokracisë.

Ho është një ish-gazetar i kthyer në politikan opozitar, ndërsa Chow është një ish-avokat dhe nënkryetare e Aleancës së Hong Kongut tashmë të zhdukur – grupi që organizonte vigjiljen çdo vit.

Të dy janë gjithashtu pas hekurave dhe u është mohuar lirimi me kusht, pasi përballen me akuza të shumta, duke përfshirë disa sipas një ligji të rreptë të sigurisë kombëtare që Pekini vendosi në Hong Kong vitin e kaluar.

Çfarë ishte vigjilja e Tiananmenit?
Pamje nga sheshi “Tiananmen” për vigjilje

Vigjilja vjetore është mbajtur në Hong Kong për dekada, duke tërhequr shpesh dhjetëra mijëra persona, të cilët mblidhen për të shënuar përvjetorin e trupave kineze që shtypën protestat paqësore të demokracisë në sheshin Tiananmen të Pekinit, më 4 qershor të vitit 1989. Dënimi ndërkombëtar pasoi pasi trupat dhe tanket hapën zjarr ndaj protestuesve.

Hong Kongu dikur ishte një nga vendet e pakta në Kinë, ku incidenti mund të përkujtohej, apo edhe të flitej për të.

Ai është shumë i ndjeshëm në Kinën kontinentale, e cila ndalon çdo ngjarje që shënon incidentin dhe fshin çdo përmbajtje nga mediat sociale.

Por, në vitin 2020, autoritetet e Hong Kongut ndaluan vigjiljen për herë të parë pas 30 vitesh, duke përmendur kufizimet e COVID-19. Aktivistët akuzuan zyrtarët për përkulje ndaj presionit nga Pekini për të penguar shprehjen pro-demokracisë.

Dhjetëra mijëra njerëz kundërshtuan ndalimin për të marrë pjesë në vigjilje atë natë, duke rrëzuar barrikadat që ishin ngritur rreth Parkut Victoria të Hong Kongut.

Ndalimi i vigjiljes vazhdoi këtë vit dhe pati një protestë më të heshtur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore