Biznes

Hong Kong/ Bien aksionet e Alibaba-s me më shumë se 10%


Aksionet e kompanisë Alibaba kanë rënë me më shumë se 10 për qind në tregtinë e Hong Kong-ut.

Rënia ka ardhur pasi gjigandi kinez i shitjeve me pakicë në internet ka paralajmëruar për një ngadalësim të shpenzimeve të konsumatorëve.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se kompania ka parashikuar që të ardhurat vjetore të rriteshin me ritmin më të ngadaltë që nga debutimi i saj në bursë në 2014.

Ndërkaq, shifrat në rënie nxjerrin në pah betejat e firmës me konkurrencën në rritje dhe goditjen rregullatore të Pekin-it.

Të listuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aksionet e Alibaba-s të ejten përfunduan me më shumë se 11 për qind më të ulëta.

Në tre muajt deri në fund të shtatorit, të ardhurat e Alibaba u rritën me 29 për qind në 200.7 miliardë juanë. Çka është norma e saj më e ngadaltë e rritjes për një vit e gjysmë.

Gjithashtu kompania ka thënë se pret që të ardhurat e saj vjetore të rriten nga 20 për qind në 23 për qind, më e ulët se parashikimet e analistëve.

Konsumi kinez ngadalësohet

Daniel Zhang, shefi ekzekutiv i Alibaba-s, u ka treguar investitorëve se rritja e konkurrencës dhe ngadalësimi i konsumit në Kinë ishin shkaqet kryesore për rritjen më të ulët.

Referuar “BBC”-së, blerësit kinezë janë bërë më të kujdesshëm në lidhje me shpenzimet, me shpërthimet e reja të coronavirus-it, mungesat e energjisë dhe shqetësimet në lidhje me tregun e pronave që rëndojnë ndjenjat.

Kompania është vënë nën një vëzhgim intensiv nga Pekin-i pasi rregulla të reja të ashpra janë imponuar ndaj kompanive të mëdha të teknologjisë në vend.

Në fillim të këtij viti, Alibaba pagoi një gjobë rekord prej 2.8 miliardë dollarësh, pasi një hetim zbuloi se kishte abuzuar me pozicionin e saj në treg për vite me radhë.

Gjithashtu Alibaba ka zbuluar se do të ndryshojë mënyrën sesi e zhvillon biznesin e vet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore