Lajme

Homazhe për nder të regjisores Vjosa Berisha në Teatrin Kombëtar


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca duke bërë homazhe në nderim të producentës, Vjosa Berisha.

Të enjten e 30 qershorit në Teatrin Kombëtar për një orë qëndroi arkivoli i regjisores dhe producentës Vjosa Berisha e cila humbi jetën pas një beteje me sëmundjen e kancerit në një spital në Londër.

Pjesë e këtyre homazheve në nderim të Berishës kanë bërë miq e dashamirë duke përfshirë edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe kryeparlamentarin, Glauk Konjufca.

Gjithashtu, të pranishëm u panë edhe kryetarë partie e shumë deputetë të partive politike.

Kryeministri, Albin Kurti, në një deklaratë para mediave u shpreh se Kosova se falë punës së saj është vendosur në hartën kulturore të botës.

“Sot po ja japim lamtumirën e fundit artistes, regjisores, udhëheqëses artistike, organizatores Vjosa Berisha. Kujtimet për të cilën mbeten të pashlyeshme e të paharrueshme për të gjithë ne që e njohëm atë”.

“Prishtina si kryeqytet i Kosovës, artdashësit dhe qytetarët kanë mbetur pa një grua e cila me pozitivitetin e saj por edhe me talentin e saj i dha shumë kulturës dhe artit tek ne, përfshirë këtu filmat dhe festivalin që e organizoj “Prifest” i cili u bë një vend në të cilin ne takonim artistë e aktor nga bota që edhe vizitonin Kosovën por edhe kontribuonin për vendin tonë që të futet në hartën e artit dhe kulturës botërore”, ka thënë Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë homazheve për nder të producentës, Vjosa Berisha. Foto: Telegrafi

Edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se janë të pakta fjalët për të përshkruar Vjosën si artiste dhe kontributin që e ka dhënë për kulturën.

“Janë të mangëta fjalët për t’ua lehtësuar dhimbjen për vdekjen e regjisores Vjosa Berisha, Bashkëndjej me ju në këto ditë të vështira dhe për të gjitha ata që e kanë njohur Vjosën. Komuniteti artistik e humbi një ikonë, një zë të fuqishëm, një producentë të zellshme, lidere në fushën e artit dhe kinematografisë”, ka thënë ai.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Ndërsa, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se “do t’i ruajmë kujtimet më të mira për ty Vjosa”.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Në fund të homazheve në Teatrin Kombëtar të Prishtinës, bashkëshorti i Vjosa Berisha, Fatos Berisha ka falënderuar të gjithë për mbështetjen që ia kanë dhënë gjatë gjithë kësaj kohe.

“Ju falënderoj të gjithëve që jeni këtu sot, që të ndani dhimbjen me familjet tona Berisha dhe Istrefi. Do t’i falënderoj të gjithë njerëzit nga anë e mbanë bota që e kanë përkrahur Vjosën gjatë sëmundjes së vështirë. Dua të falënderoj mjekët që janë kujdesur për Vjosën, mjekët infermierët, klinikën në Gjermani dhe spitalin në Londër”, deklaroi Berisha.

Bashkëshorti i Vjosa Berishës, Fatos Berisha.

Ai kujtoi shpirtin luftarak të saj dhe sfidat të cilat i kaloi në jetë.

“Të gjithë ne që jemi këtu e kemi njohur Vjosën, shpirtin e saj luftarak, para të gjithave sfidave. Po të mos ishin sfidat, Vjosa nuk kishte qenë e tillë”.

“Gjitha betejat i ka tejkaluar, ndoshta përveç kësaj. Ajo e ka sfiduar edhe këtë me faktin që i ka dhënë mbështetje shumë njerëzve me sëmundjen e kancerit, sidomos vajzave dhe grave. Ju falënderoj për pjesëmarrjen, ju njoftojmë se varrimi është në varrezat e Prishtinës në ora 17:00”.

Deputetë të PDK-së duke bërë homazhe në nderim të producentës, Vjosa Berisha.
Homazhe në nderim të producentës, Vjosa Berisha.

Të enjten e 23 qershorit, është ndarë nga jeta, regjisorja e mirënjohur Vjosa Berisha.

Berisha, e cila vuante nga kanceri në vezore, ka ndërruar jetë në spitalin “University College Hospital” në Londër.

Lajmin e kishte bërë të ditur bashkëshorti i saj, Fatos Berisha, përmes një postimi në Instagram.

“Me pikëllim të thellë bëjmë të ditur se e dashura jonë Vjosa Berisha ndërroi jetë, sot me datë 23 qershor në spitalin University College Hospital në Londër”, kishte shkruar ai.

Berisha ishte anëtare e Akademisë Evropiane të Filmit që nga viti 2013, dhe formimi i saj arsimor përbëhet nga një diplomë Master i Arteve në Media dhe Komunikim nga Universiteti i Westminster, Londër në Mbretërinë e Bashkuar dhe një diplomë pasuniversitare në Diplomaci Bashkëkohore nga Universiteti i Maltës, në Maltë.

Gjithsesi, ajo numëronte mbi 20 vjet përvojë në marrëdhëniet me publikun, median dhe industrinë e filmit.

Regjisorja ka qenë bashkëpronare dhe shefe ekzekutive e kompanisë së prodhimit të filmit dhe televizionit “B2 – PR & Media Solutions”, me zyra në Kosovë dhe Shqipëri.

Gjithashtu ishte bashkëthemeluese e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë “Pri Film Fest”, i themeluar në vitin 2008, i cili për 11 vjet u bë një nga ngjarjet më të rëndësishme të industrisë së filmit në vend.

Përveç kësaj, Berisha në vitin 2019 kishte prodhuar filmin e saj të parë artistik si producente – “The Flying Circus” me skenaristin, regjisorin dhe burrin e saj Fatos Berisha.

Në po atë vit kishte bashkë-prodhuar filmin artistik maqedonas “The Happiness Effect” me regjisorin Borjan Zafirovski.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore