Lajme

Holandë: Shpërthen një qendër testimi për coronavirus-in


Zyrtarë të policisë holandeze, të mërkurën, thanë se një qendër e testimit të coronavirus-it, në një qytet në veri të Amsterdamit, ka shpërthyer herët në mëngjes para se vendi të ishte hapur.

Shpërthimi në qytetin Bovenkarspel, rreth 50 kilometra jashtë Amsterdamit, copëtoi dritaret por nuk shkaktoi asnjë lëndime në njerëz, raportoi policia.

Ndërkohë forcat e rendit kanë rethuar zonën për të kryer hetimet.

“Ne nuk e dimë akoma saktësisht se çfarë shpërtheu, ekspertët duhet së pari të kryejnë hetimet”, tha zëdhënësi i policisë, Menno Hartenberg, për agjencinë e lajmeve Reuters.

“Ajo që po themi është se diçka e tillë nuk ndodh thjesht rastësisht, por mendohet të jetë e qëllimshme”.

Policia raportoi pesë dritare të copëtuara, pasi shpërthimi ndodhi rreth orës 7 të mëngjesit.

Deri më tani, oficerët nuk kanë identifikuar ndonjë pistë për fajtorin.

Një skuadër bombe ndodhet në vendngjarje për të përcaktuar nëse ndonjë material shpërthyes kishte mbetur në vendin e ngjarjes, njoftoi rrjeti televiziv publik, NOS.

Në janar, një qendër testimi në komunitetin e Urk, u dogj gjatë një proteste kundër masave të coronavirus-it.

Kjo ngjarje shënoi disa nga protestat më të dhunshme që vendi ka parë në dekada.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore