Lajme

Holanda shpenzoi 5 miliardë euro shtesë për mbrojtjen


Buxheti total shtesë për Ministrinë holandeze të Mbrojtjes është investimi më i madh në forcat e armatosura që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

Lajmi u bë i ditur nga agjencitë vendase, duke cituar ministren holandeze të Mbrojtjes, Kajsa Ollongren.

Qeveria holandeze po shpenzon 5 miliardë euro shtesë për mbrojtjen këtë vit dhe gati 15 miliardë euro duke përfshirë vitin 2025.

Kjo e ka çuar Holandën deri në normën e NATO-s prej 2% të PBB-së.

Nga viti 2025, buxheti do të rritet me 5 miliardë euro në vit.

“Kërcënimet globale dhe lufta në Ukrainë tregojnë se paqja dhe siguria nuk mund të merren si të mirëqena”, u shpreh zyrtarja holandeze.

Sipas Ollongren-it, forcimi i bashkëpunimit do ta bëjë Holandën më të fortë dhe Evropën më të sigurt.

“Kjo u lejon vendeve evropiane të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre… në këtë mënyrë mbrojtja mund të mbrojë atë që është e shtrenjtë për ne”, theksoi ministrja.

Shumica e planeve të shpenzimeve, të cilat fokusohen në zgjerimin e fuqisë së zjarrit dhe përmirësimin e shërbimeve mbështetëse, u zbuluan në fillim të kësaj jave.

Të martën, ministria njoftoi gjithashtu se kishte rënë dakord për një rritje pagash prej 8.5 për qind me sindikatat e forcave të armatosura dhe një pagesë të njëhershme prej 1 mijë e 750 euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore